10 vjet Juban Danja (2005-2015), një histori suksesi e sakrifice

0
SHPËRNDAJE

U mbushën dhjetë vjet nga krijimi i klubit të futbollit të femrave Juban Danja, i pari klub zyrtar i këtij lloji në vendin tonë, e gjitha pothuajse vepër e familjes Jaku nga fshati Juban i prefekturës Shkodër. Në këtë jubile të çmueshëm të këtij klubi, po botojmë për herë të parë për lexuesit e shtypit sportiv shqiptar historinë e Juban Danjës, të pandryshuar siç duhej të ishte në librin që mbeti në tentativë “Futbolli Femëror Shqiptar 2005-2013” nga Florent Hoxha.

∑∑∑

Në komunën Gur i Zi në prefekturën e Shkodrës ndodhet fshati i vogël i Jubanit i cili në vitin 2005 hyri fuqishëm në botën e futbollit falë krijimit të një klubi futbolli për femra. Ishte 6 shtatori 2005 kur nisma e familjes Jaku u bë realitet duke i dhënë jetë klubit të Jubanit që më vonë u quajt Juban Danja, ose thënë ndryshe Mbretëria e Jubanit. Ideja e krijimit të klubit lindi nga Ferdinand Jaku, i specializur në fushën e mjekësisë por shumë i apasionuar pas lojës së futbollit. Nisi e gjitha me ndërtimin e një fushe me porta të vogla aty në fshat, një “kalçeto” ku vërshuan jo vetëm djem, por edhe vajza të prira nga femrat e familjes Jaku, Lizana, Emanuela dhe pak më vonë edhe vajza e vogël e familjes Paula.

Veç familjes Jaku, emrat e tjerë që u gdhendën në themelet e ekipit të parë janë Terezina Lazri, Tereza e Marie Ilia, Xhuljeta Preçi, Dorina Gjoni, Eleni e Agetina Marku, Agetina e Vera Ndreka, Albina Gjuraj, Manjola Ejlli dhe Terezina Palushi. E ndonëse kemi përmendur disa shkëndija edhe më të hershme që i shërbyen së tepërmi nisjes së futbollit të femrave në Shqipëri, Juban Danja u bë klubi i parë i mirëfilltë me një president, me staf drejtues, me trajner, me fanella të rregullta e deri edhe me stemën e vet zyrtare. Por mungonin kundërshtarët! Kështu Juban Danja u detyrua të kapërcejë shpesh kufirin për të matur forcat me të vetmet ekipe shqiptare të asaj kohe që ishin Kosova e Prishtinës dhe Vizioni i Ferizajit. Veç shkëmbimit të përvojës u hodhën edhe bazat e një bashkëpunimi e miqësie të ngushtë dhe të qëndrueshme që vazhdon të jetë e fortë edhe sot.

Këmbëngulja dhe dëshira e madhe për ti dhënë shtytjen përfundimtare nisjes së futbollit të femrave në Shqipëri bëri që Juban Danja të organizojë për herë të parë në vendin tonë një ndeshje “të vërtetë” futbolli, 11 kundër 11 në fushë me përmasa të rregullta. Nuk ishte tjetër veçse fusha e blertë e stadiumit kombëtar “Loro Boriçi” e Shkodrës në të cilën me 18 maj 2008 zbritën vajzat e Juban Danjës e të Kosovës së Prishtinës. Kosova kishte me vete edhe përforcime nga klube të tjera të kampionatit të Kosovës duke mos e patur të vështirë të dilte fitimtare, madje me rezultat të thellë. Por kjo kishte pak rëndësi. Madje rezultati ishte më pak i rëndësishmi kur bëhej fjalë për një ndeshje e cila në vetvete ishte një ngjarje historike jo vetëm sportive.

Në fillimet e veta Juban Danja është karakterizuar nga përbërja e ekipit me një moshë të re e cila vërtitej mesatarisht diku te 15 vjeç. Në sajë të seriozitetit dhe punës së vazhdueshme Juban Danja hodhi hapa të shpejtë drejt konsolidimit të vet si klub. Bashkë me Adën e Velipojës krijuan një dyshe të bukur konkurruese duke ndezur shpesh veprimtaritë futbollistike në vend. Përballjet mes këtyre ekipeve kanë tërhequr vëmendjen e sportdashësve të cilët jo të paktë në numër i kanë ndjekur shpesh këto vajza. Vitet e fundit këto dy klube kanë afruar në radhët e tyre disa nga lojtaret më të spikatura në Shqipëri e Kosovë duke u ngritur dukshëm në një stad më cilësor se klubet e tjera. E megjithë rivalitetin e fortë, këto klube kanë shfaqur shpesh një frymë të admirueshme bashkëpunimi me njëra tjetrën siç është ndihma e dhënë nga Juban Danja në përforcimin e Adës në pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve si edhe ndihma reciproke në veprimtari të tjera futbollistike brenda dhe jashtë vendit.

22 - familja Jaku me Kupen e Shqiperise
Familja Jaku me kupën e Shqipërisë.

Podiumi i trofeve të Juban Danjës është i pasur duke marrë parasysh që veprimtaritë zyrtare për femra në vendin tonë kanë vetëm katër vjet që zhvillohen rregullisht. Nga katër edicione kupe të zhvilluara deri tani, Juban Danja është tre herë finaliste dhe nga këto ka dalë fituese dy herë. Pasi është mundur 2-0 në finalen e vitit 2011 nga “armikja” e saj e përhershme Ada e Velipojës, ka triumfuar në dy edicionet e tjera, 4-1 kundër Kinostudios në 2012 e 3-2 ndaj Adës në 2013 kur në stolin e kësaj të fundit ulej një emër i njohur në mjedisin tonë futbollistik, malazesi Derviš Hadžiosmanović që para 12 viteve nxirrte kampion Vllazninë e Shkodrës, kujtim që duket shumë më i largët se 12 vjet. Për tu theksuar është se marrëdhëniet mes vajzave të Juban Danjës, Adës dhe ekipeve të tjera këtej dhe andej kufinjve tanë kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera dhe lufta mes tyre ka ngelur në aspektin sportiv brenda fushës së lojës.

Është tu veçuar një kupë e fituar në një turne të fundvitit 2007 në kompleksin sportiv “Zmijani”, zhvilluar në nderim të ish futbollistit e trajnerit të shquar Medin Zhega që pesë vite më pas do të ndahej aksidentalisht nga mesi ynë. Tragjikisht është ndarë para kohe nga jeta edhe një ish futbolliste e Juban Danjës e quajtur Gilberta Marku e cila është kujtuar shpesh nga ekipi ku luajti.

23 - Juban Danja (w.permission by F.Jaku owner)
Juban Danja

Lojtaret ndër vite: Gjystina Rripaj, Lizana Jaku, Paula Jaku, Mirela Preçi, Terezina Lazri, Loreta Jaku, Sarafina Haxhari, Kujtime Xherxhi, Suada Jashari, Pranvera Tasholli, Marçela Ndoci, Alije Hamiti, Ajdena Mustafaj, Sadije Koçi, Vera Ndreka, Eleni Marku, Anela Vishkulli, Aurela Haxhari, Madalena Rrotaj, Terezina Palushi, Xhuljeta Preçi, Mirsada Çapnagaj, Xhorxheta Çali, Emanuela Jaku, Emiljana Rrasari, Samela Muçejani, Agetina Marku, Advije Veliu, Mirela Preçi, Klaudia Rrotani, Dafina Gjuraj, Luljeta Gjuraj, Dorina Gjoni, Ksantina Qarrica, Manjola Ejlli, Alma Hilaj, Romina Filipi, Agetina Ndreka, Mirela Ilia, Gilberta Marku, Aurora Seranaj, Andelina Deda, Terezina Ilia, Endrina Elezaj, Albina Rrahmani, Albina Gjuraj, Sara Maliqi, Nora Selmani, Viona Rexhepi, Qëndresa Krasniqi, etj.

Trajnerë: Marin Jaku, Gjokë Ndreka, Shpëtim Rama, Rrok Gaci, Rrok Marku, Kreshnik Krepi, Emanuela Jaku.

 

 © minuta90.com    

S'KA KOMENTE

Comments are closed.