3 pikë jetike për Flamurtarin, Luftëtari humb shansin e fundit për Europë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Flamurtari ringrihet pas humbjes ndaj Skënderbeut duke mposhtur Luftëtarin në takimin përmbyllës të javës së 20-të të Kategorisë Superiore.

Kuqezinjtë triumfuan 2-1 në shtëpi duke marrë një trepikësh të çmuar në luftën për mbijetesë, ndërkohë që ekipi nga Gjirokastra humb mundësinë për të parakaluar Tiranën në vendin e katërt.

Skuadra e trajnerit Gentian Mezani e shtroi udhën e suksesit që në pjesën e parë me dy gola të bukur nga kapiteni Franc Veliu (27′) dhe sulmuesi Tomislav Busiç pak para pushimit.

Bluzinjtë e trajnerit Milinkoviç reaguan në të dytën dhe ngushtuan disavantazhin me mesfushorin Eduart Rroca në minutën e 63-të, por nuk mundën të shmangnin humbjen megjithë rastet e krijuara.

Takimi nis i shpejtë, ku që në të 4-tën Flamurtari shfaqet menjëherë i rrezikshëm. Shehaj ka një mundësi të mirë për të kaluar vendasit përpara, por gjuajtja e tij nga brenda zonës gjen të gatshëm portierin Ruçi.

Në të 15-tën, Flamurtari pretendon për penallti pas një ndërhyrjeje në zonë të mbrojtjes së Luftëtarit ndaj sulmuesit Busiç, por gjyqtari Eldorjan Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë.

Ndërkaq, terreni i rënduar vështirëson lojën te të dyja skuadrat si dhe sjell faulle të vazhdueshme, si tek Flamurtari dhe Luftëtari.

Ndërsa në minutën e 27-të, Flamurtari kalon në avantazh. Franc Veliu kalon përpara vlonjatët me një goditje dënimi mjeshtërore që mposht portierin Ruçi. 1-0.

Kur po kronometrohej e 34-ta, tjetër rast për Flamurtarin. Danilo Alves provon me një të djathtë diagonale, por Ruçi pret pa problem.

Në fundin e pjesës së parë, Flamurtari dyfishon shifrat. Tomislav Busiç merr një top nga Alves dhe dërgon topin në rrjetë me një diagonale të bukur. 2-0.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me trajnerët që u besojnë të njëjtëve lojtarë që e mbyllën pjesën e parë, si Gentian Mezani ashtu edhe Mladen Milinkoviç.

Luftëtari e shton presionin në kërkim të golit, por ende nuk ka krijuar ndonjë rast të pastër për shënim.

Rasti i parë në pjesën e dytë vjen në të 55-tën, kur Dejvi Bregu provon me një të djathtë nga distanca, e cila gjen të përgatitur portierin Stivi Frashëri.

Eshtë minuta e 63-të dhe Luftëtari rihap takimin. Eduart Rroca shkurton diferencat me një të djathtë nga hyrja e zonës, e cila mposht portierin Frashëri pas një devijimi nga mbrojtja vlonjate.

Të dy trajnerët si Gentian Mezani, ashtu edhe Mladen Milinkoviç bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa aktivizohen në lojë Galiç, Xhuriç dhe Dushku për Flamurtarin, ndërsa te Luftëtari futen në lojë Lamçja dhe Rapo.

Deri në fund, Luftëtari beson dhe vazhdon të sulmojë, teksa Flamurtari reziston me shumë forca në mbrojtje.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, teksa Flamurtari fiton dhe është skuadra e vetme që ka arritur të marrë më shumë pikë ekipin gjirokastrit këtë sezon, ndërsa Luftëtari i Milinkoviç edhe pse është kthyer në makthin e skuadrave të mëdha në Superiore, por duket se edhe ajo ka një ekip “tabu”.

Pas këtij triumfi Flamurtari e sheh veten me 20 pikë, aq sa Laçi, ndërsa Luftëtari mbetet i pesti në kuotën 25.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë me Vllazninë, ku edhe një pikë do të quhej pozitive, ndërsa Luftëtari pret në stadiumin “Gjirokastra” Korabin, teksa 3-pikëshi është një “detyrë shtëpie”. /minuta90.com/

Flamurtari-Luftëtari 2-1

Golat: Veliu 27’, Busiç 45’ / Rroca 63’

Flamurtari (4-3-3): Frashëri, Jakovljeviç, Kuqi, Veliu, Mersini, Shehaj, Hyseni (Xhuriç 86’), Neziraj (Galiç 66’), Fazliu, Alves (Dushku 90’+3), Busiç (në dispozicion: Halili, Beqaj, Llambro, Lynneeker) Tr: Gentian Mezani

Luftëtari (4-4-2): Ruçi, Liçaj, Boyom, Beqiri, Rapa, Zguro (Lamçja 74’), Rroca (Rapo 85’), Ramadani, Bregu, Abazaj, Reginaldo (në dispozicion: Miraka, Topi, Brahimaj, Aleksi, Zogaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Melis Dervishi, Paulin Simoni, Emirjon Sino

Kartonë të verdhë: Jakovljeviç 36’ / Liçaj 13’, Beqiri 43’, Zguro 72’, Boyom 78’, Abazaj 83’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.