3 pikë me vuajtje ndaj Korabit, Skënderbeu rikthehet te fitorja

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15138438_1184482161589503_6873073317303327561_o

Pritej fitorja e kthesës dhe ajo erdhi, pritej kthesa në lojë dhe ajo mbeti mirazh.

Skënderbeu rigjen buzëqeshjen duke mundur sot Korabin, me një gol nga James Adeniyi në fundin e pjesës së parë, por edhe goli erdhi rastësisht, me sulmuesin që vodhi një top në mbrojtjen e Korabit, duke mposhtur me një gjuajtje të lehtë portierin mik. Pas katër javësh pa fitore, skuadra korçare rikthehet te fitorja duke mposhtur 1-0 Korabin në javën e 11-të të Kategorisë Superiore.

Në një stadium të boshatisur pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës, ndeshja ishte e shëmtuar, me ritëm të ulët dhe pa lojën sulmuese që premtonte para ndeshjes trajneri Agostinelli, ndërsa Korabi krijoi raste dhe në fund meritonte ndoshta barazimin, aq sa protestoi edhe për një kalim të topit mbi vijën fatale, me Shehin që u bë vendimtar. Nga pamjet filmike, duket se topi ka kaluar 100% vijën fatale dhe ishin minutat e fundit të ndeshjes.

Kështu, Gerdi Haxhiu debuton me humbje, por loja e Korabit duket, ndryshe nga Skënderbeu.

Takimi nis i shpejtë dhe rastin e parë të pastër e kanë miqtë. Pas një zbritje të shpejtë, Plaku pason horizontalisht në zonë për Nexhipin. Mesfushori i Korabit gjuan menjëherë, por goditja është qendrore dhe Shehi shpëton portën. Një mundësi e shkëlqyer për skuadrën e trajnerit Gerdi Haxhiu.

Lojë e fortë dhe me shumë faulle në mesfushë, por pa raste për shënim.

Në të 19-tën, Radas hedh një krosim në zonë nga goditja e dënimit, aty ku Adeniyi provon të devijojë por topi i lehtë shkon jashtë, por asnjë shqetësim për portierin Vujadinoviç.

Loja ka edhe për shkak të ndalesave të shumta dhe deri në të 33-tën nuk kemi ndonjë rast për të shënuar. Në këtë minutë, një mundësi e artë për Skënderbeun, ku Latifi kroson nga e majta e sulmit por Adeniyi, dy hapa larg portës, ndalet nga Vujadinoviç. Një pritje shpëtimtare nga “gardiani” i Korabit, i cili largon topin që po i drejtohej portës.

Korçarët e rrisin presionin dhe shpërdorojnë një tjetër shans të mirë. Sërish një kros i Latifit, Serginho godet me kokë por Dukiç largon topin që po shkonte në rrjetë.

Pak para se të mbyllej e para, Skënderbeu kalon në epërsi. Adeniyi i rrëmben një top kapitenit Sheta dhe nuk fal, duke mposhtur portierin Vujadinoviç në dalje.

Pjesa e dytë nis e qetë me Skënderbeun duke administruar avantazhin përballë një kundërshtari, siç është Korabi, që nuk ka fuqi për të reaguar.

Në të 61-tën, tjetër mundësi për Skënderbeun. Adeniyi vertikalizon për Lilaj, i cili futet në zonë dhe gjuan, mirëpo e djathta e mesfushorit ndalet nga Vujadinoviç.

Korçarët duan ta mbyllin takimin dhe shtyjnë drejt portës dibrane. Jashanica hedh një krosim nga e djathta dhe aty Salihi provon me kokë, por topi ndalet që në nisje nga mbrojtja e Korabit.

Në të 80-tën, Korabi çon dëm një mundësi të pastër për të barazuar. Zguro provon me një goditje të lirë nga kufijtë e zonës dhe aty Shehi pret mbi vijë. Në topin e kthyer, Sheta provon të shënojë, por portieri korçar bëhet sërish shpëtimtar. Dibranët pretendojnë se topi e kishte kaluar vijën në gjuajtjen e parë, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Koçi.

Në fundin e ndeshjes, një tjetër rast për miqtë nga Dibra. Prençi përpiqet ta shtyjë topin nga dy hapa larg, por përsëri Orges Shehi e mban të paprekur rrjetën e vet. Korabi pretendon sërish se topi ka kaluar vijën fatale.

Takimi nuk ka më histori dhe mbyllet me fitoren e Skënderbeut, që është shumë i kënaqur nga kjo sfidë, ndërsa Korabi ka akoma punë për të bërë.

Gjithsesi rëndësi kanë tri pikët që e ngjisin ekipin e Agostinelit në kuotën 23, +3 ndaj Kukësit që luan nesër në Durrës. Kurse Korabi mbetet i fundit me vetëm 5 pikë.

Javën e ardhshme, Skënderbeun luan me Laçin në transfertë, ndërsa Korabi pret në shtëpi Luftëtarin. /minuta90.com/

Skënderbeu-Korabi 1-0

Goli: Adeniyi 40’

Skënderbeu: Shehi, Radas, Jashanica, Osmani, Mici, Serginho (Mustafa 90’+3), Orelesi, Lilaj, Latifi, Adeniyi (Fukui 89’), Salihi Tr: Andrea Agostinelli

Korabi: Vujadinoviç, Dukiç, Nako, Sheta, El. Prençi (D. Peposhi 90’), Zguro, Zefi, Veliaj (Mziu 82’), A. Peposhi, Nexhipi (A. Gavazaj 74’), Plaku Tr: Gerdi Haxhiu

Gjyqtarë: Andi Koçi, Gerald Qiriçi, Erjon Velo, Klodian Shahini

Kartonë të verdhë: Adeniyi 43’, Jashanica 54’/ Zefi 10’, Zguro 80’, A. Gavazaj 87’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.