8 përballje na presin sonte në Premier League

0
SHPËRNDAJE

Sonte do të luhen tetë ndeshjet e tjera që kompletojnë kuadrin e javës së 16-të në kampionatin anglez. Chelsea kryesues udhëton për në fushën e Sunderland, ndërsa Liverpool, që ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit, do të udhëtojë për në Middlesbrough. Manchester City pret Watford, kurse Manchester United vizion Crystal Palace pas fitores kundër Tottenham. Spurs përballen me Hull City.

Sunderland – Chelsea

Chelsea do të ketë formacionin më të mirë të mundshëm për ndeshjen kundër Sunderland në transfertë, ku “blutë” e drejtuar nga Antonio Conte do të kërkojnë fitoren e dhjetë radhazi. Rekordi i klubit është 11 fitore. Sunderland ka fituar vetëm një nga 11 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi kundër Chelsea, atë të sezonit të kaluar. Sunderland është skuadra me rekordin më të dobët në shtëpi me shtatë pikë në shtatë ndeshje gjatë këtij kampionati. Chelsea ka fituar në pesë ndeshjet e fundit të luajtura jashtë fushe.

Middlesbrough – Liverpool

Sulmuesi i Middlesbrough, Alvaro Negredo, është në garë me kohën për të qenë i gatshëm kundër Liverpool, teksa do të mungojnë Ramirez dhe Friend. Te “të kuqtë” nuk është riaftësuar ende mesfushori Emre Can. Middlesbrough nuk humbet prej tetë ndeshjesh në shtëpi, ku ka fituar dy nga tre ndeshjet e fundit. Liverpool ka sulmin më të mirë të Premier League me 37 gola pas 15 ndeshjeve, 13 prej të cilëve kanë ardhur me goditje standarte. Të vetmet dy humbje që ka pësuar skuadra e Klopp në këtë kampionat kanë qenë jashtë fushe, ndaj Burnley dhe Bournemouth.

Crystal Palace – Manchester United

Jason Puncheon është i skualifikuar për Crystal Palace, ndërsa Yohan Cabaye mund të rikthehet në formacion kundër Manchester United, që ka dy mungesa, të dëmtuarin Henrikh Mkhitaryan dhe të skualifikuarin Antonio Valencia. Manchester United nuk ka humbur asnjë nga 14 ndeshjet e fundit kundër Cystal. Më saktësisht, “djajtë” kanë humbur vetëm 1 nga 21 përballjet e fundit me “shqiponjat”, në vitin 2012 për Kupën e Anglisë. Në vitin 1991 është regjistruar fitorja e fundit për Crystal Palace në shtëpi ndaj Manchester United, që vjen në këtë takim pas tetë rezultatesh pozitive radhazi.

Manchester City – Watford

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, do të bazohet sërish te mbrojtësi Nicolas Otamendi, i cili ka qenë i skualifikuar kundër Leicester. Sergio Aguero, Fernandinho dhe Vincent Kompany do të mungojnë kundër Watford. Fitorja e fundit e Watford kundër City është regjistruar në vitin 1989 kur të dy këto skuadra ishin në kategorinë e dytë. Manchester City ka fituar vetëm katër nga 15 ndeshjet e fundit të luajuara në të gjitha veprimtaritë duke e ndalur ndjeshëm hapin pasi e nisi sezonin me 10 fitore radhazi nën drejtimin e Pep Guardiola.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.