Agostinelli elozhe për Latifin: Ai ka talent për Seria A-në

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Merkato / Disa zëra merkatoje e kanë shoqëruar periudhën e pushimit ndërkombëtar të klubeve të Seria A, për shkak të ndeshjeve kualifikuese, apo miqësore, të muajit mars. Liridon Latifi është lojtari i fundit, të cilit i ka dalë emri te Lazio. Mediat italiane ngrenë pyetjen: A është pak më shumë se vetëm një thashethem? Siç është konfirmuar nga Ardjan Takaj, presidenti i Skënderbeut, klub në pronësi të të cilit është 23-vjeçari shqiptar, interesi nga bardhekaltrit është konkret. Për të krijuar një profil të anësorit nga Prishtina, ka folur ekskluzivisht në frekuencat e “Radiosei” Andrea Agostinelli. Ky i fundit e ka stërvitur dhe drejtuar lojtarin gjatë kohës që ishte trajner i kuqebardhëve, në Korçë:

“Lazio mund të jetë e interesuar, si gjithmonë, për të rinjtë e talentuar. Latifi është një i tillë, gjë të cilën e di mirë Igli Tare. E ula në stol në disa ndeshje, gjatë fazës së dytë të kampionatit, sepse kishte nevojë. Eshtë një talent i madh, që kombinon shpejtësinë dhe teknikën. Eshtë një kosovar, që luan në kombëtaren shqiptare. E ula në stol, siç thashë më sipër, sepse doja t’i jepja për të kuptuar se duhet të japë më të mirën në çdo ndeshje. Gjithkush ishte dyshues nga ky veprim i imi, pastaj Latifi u kthye në superformë dhe të gjithë më dha të drejtë. Ulja në stol i shërbeu për mirë atij, kështu që të rinjtë duhet të menaxhohen mirë. Pavarësisht se nuk flet italisht, përfundimisht ai mundi të bisedonte me mua dhe më falënderoi për atë që kam bërë.

A është një lojtar i gatshëm për kampionatin tonë? Po flasim për një talent të madh, i cili mund të luajë në Seria A për moshën dhe potencialin. Ai ka bërë tashmë dy vite si lojtar kryesor i kampionëve të Shqipërisë, madje ka luajtur edhe në eliminatoret e Champions-it. Megjithatë, bëhet fjalë për një futbollist shqiptar, ndaj duhet parë se si mund të ambientohet në Itali. Karakteristikat si lojtar? Latifi luan në pjesën e jashtme, mundësisht në të majtë, aty ku është mjaft i rrezikshëm me të djathtën e tij. Ai, gjithashtu, mund të luajë edhe në anën tjetër të mesfushës. Me shpejtësinë e tij, Latifi mund të “fluturojë” deri në 30 metra me topin në këmbë. Me organikën që ka aktualisht Lazio, Latifi do të ishte alternativa e parë për Keita dhe Felipe Anderson. Pavarësisht se ka më pak përvojë, unë e preferoj atë para Luis Alberto.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.