Agostinelli: Kemi nevojë për gola, prandaj duhet cilësi

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15319333_1167938146576718_757041407_n-470x329Trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostinelli, pas ndeshjes me Vllazninë, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Elvis Rexha, u shpreh se në sulmin e skuadrës që drejtonte mungonte cilësia për të gjetur rrugën e rrjetës dhe theksoi se ekipi i tij po dominon, por ka mungesë fati duke humbur raste të pabesueshme siç mund të ishte penalltia.

“Ndeshja? Në tre penalltitë e fundit i kemi gabuar, dy ishin vendimtare që mund të na kishim dhënë pikë. Por fatkeqësisht penalltitë humben dhe në momentin kur gjërat shkojnë keq, duhet pranuar”.

“Kontestimi i tifozëve? Skuadra ka nevojë që të bëhen gola, ato bëhen duke luajtur në gjysmëfushën kundërshtare si bëmë sot për gati një orë e 10 minuta. Mendoj se kemi luajtur topin por në fund duhet më shumë cilësi. Sot cilësia për të shënuar nuk është në maksimum dhe kemi vështirësi për të bërë gol. Por kur shoh skuadrën që luan në gjysmëfushën tjetër dhe nuk shënon, pastaj edhe penalltinë që mund ta sillnin fitoren, mund të them se kemi edhe pak mungesë fati”.

“A duhet të gjuajë dikush tjetër? Tani do të thosha po. Mendoj se Salihi e mori topin në dorë për të gjuajtur se është ai gjuajtësi i tyre dhe e ndjente që mund ta realizonte. Por tani mund ta mendoni ndryshe. Do ta diskutoj me sulmuesin Salihin pasi ai i ka gabuar të fundit ndaj mendoj se mund të bëjmë verifikime për të ardhmen. Penalltitë humben, i kanë humbur finalet e Botërorit me penallti, trajneri nuk di çfarë të bëjë në këtë rast. Penalltitë na kanë hequr katër pikë duke llogaritur ndeshjen direkte me Kukësin. Një trajner nuk di çfarë të thotë kur gabohet një penallti e tillë”.

“Manovra e sulmit shumë e ngadaltë? Topin e luajtëm ne në çdo cep. Problemi është se kur mbërrin te lojtarët në krahë duhet të jenë më vendimtarë. Herë ia dalin, herë jo. Sot ia dolën më pak edhe pse mbajtëm topin në gjysmëfushën kundërshtare. E përsëris që puna që bëjmë është e rëndësishme, mendoj se vjen momenti kur duhet të kesh më shumë cilësi për të bërë gola më shumë. Sipas meje mungon kjo cilësi dhe nëse e kemi, nuk e tregojmë. Goli bëhet me cilësi, jo se ta dhurojnë. Luajmë në gjysmëfushën kundërshtare dhe krijojmë. Por kur na vjen rasti për të vendosur ndeshjen, duhet shfrytëzuar. Nuk i shfrytëzojmë, edhe gjëra të bujshme si penalltia”.

“Cilësia e lojës? Unë them se në këtë moment nuk luajmë keq, na mungon finalizimi i manovrës. Mendoj se duhet pasur një cilësi tjetër e lojës, që mungon. Mendoj se disa lojtarë nuk janë në formë. Nuk them që luajmë futbollin më të mirë, por kemi dominuar lojën. Kemi dominuar, krijojmë disa aksione, mund të bëjmë edhe më shumë. Por duhet që kjo cilësi të dalë në pah, nëse ekziston. Kaq”.

“Mendoj se çdo president ka dy rrugë kur kërkon diçka më shumë nga skuadra… Ose ndërron trajnerin, ose nëse beson te ai, bën përforcime. Mendoj se kjo skuadër mund të fitojë kampionatin. Pse jo? Pasi jam që nga java e parë në kryesim, edhe duke humbur penallti. Nuk ka arsye pse të mos fitoj kampionatin, Skënderbeu në dy vitet e fundit e ka fituar në javën e fundit. Pse duhet ta mendoj që nuk e fitoj? Por nëse presidenti Takaj më kërkon në dhjetor të përforcohemi, e di çfarë të kërkoj. Në të kundërt, presidenti Takaj mund të më largojë mua nëse nuk është i kënaqur.

Pastaj më duket se nuk isha unë që nxora diskutime se Skënderbeu luante mirë se kishte 3-4 lojtarë në fazën e parë të vitit të kaluar që bënin diferencën. Unë nuk i kam pasur këto lojtarë. Di që ishin të aftë. Por me skuadrën aktuale, jam i pari që nga java e parë, mendoj se është bërë punë e mirë, se mund të fitojmë kampionatin. Pastaj penalltitë e gabuara heqin pikë. Sot, të kishim dy pikë më shumë, dhe dy me Kukësin, do të flitej ndryshe. Presidenti Takaj, nëse nuk është i lumtur, normalisht që mund të largojë trajnerin, ndoshta duhet ta largojë. Por nëse ai sheh punën dhe mendon që është punë e mirë mund të ndërhyjë në merkato. Unë jam një nëpunës, kam 20 vite në këtë profesion, e di se si shkojnë gjërat”-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostinelli. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.