Agostinelli: Luftuam edhe pse u luajtën 80 minuta

0
SHPËRNDAJE

14885953_1136056026431597_2130430044_n

Trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostinelli, pas ndeshjes me Partizanin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani, u shpreh se ekipi i tij luftoi fort, edhe pse sipas tij u luajtën vetëm 80 minuta.

“Barazimi mes dy skuadrave? Mendoj se ata e filluan mirë ndeshjen, sidomos në pjesën e parë. Pastaj ne u paraqitëm mirë, me një lojë ndryshe dhe në pjesën e dytë u shfaqëm më mirë në fushë. Krijuam disa aksione që mund të na jepnin avantazhin. Por pastaj ndeshja mbaroi në minutën e 80, pasi pas atij momenti mendja ishte te ajo çfarë ndodhi dhe jo te loja jonë”.

“Mungesë goli ndaj rivalëve? Me Kukësin kishim shumë raste për të shënuar, sot më pak. Sot ishte një ndeshje mes ekipit të parë në klasifikim dhe të dytit, në fushën e këtij të fundit, ndaj mendoj se barazimi është diçka e pranueshme. Mendoj se kemi reaguar mirë dhe mund të bënim gol, edhe pse Partizani bëri ndonjë rast më shumë. U munduam të dilnim në sulm me Serginhon, por jam i ndërgjegjshëm që mund të bënim më shumë në këtë duel”.

“Problemet e Skënderbeut? Unë në pjesën e parë kisha vendosur që Latifit të mos i jepja detyra mbulimi, ai duhej të rrinte në sulm, bashkë me Salihin. Në momentin kur kaluam në vështirësi, ndryshova rolet duke kaluar Fukuin lart e kthyer Latifin. Luajtëm më 4-4-2 dhe pastaj gjërat u rregulluan, pas disa problemeve fillestare që theksoj u krijuan si vijim i disa pasimeve të gabuara mbrapa. Në pjesën e dytë nuk u rrezikuam aq shumë”.

“Ndrojtje në minutat e fundit? Nuk më duket se u tërhoqëm, u munduam t’i sulmonim. Duhej të ishim më të shpejtë në aksionet tona. Partizani luajti në kundërsulm dhe me lojtarët e shpejtë që ka, mund të krijonte raste. Në fund të fundit luante mbrojtja më e mirë e kampionatit ndaj ekipit kryesues. Kur je me 11 ndaj 10 nuk do të thotë medoemos se duhet të mbizotërosh. Pastaj erdhi karton i kuq i Vangjelit dhe u rirregulluam 10 kundër 10. Ishte një ndeshje shumë e tensionuar, por sipas meje ishte edhe spektakolare në momente të veçanta”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostinelli. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.