Agostinelli: “Partizani ka shanse për titull, ja pishmani im deri tani”

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Para ndeshjes me Teutën ka qenë vetë trajneri i Partizanit, Andrea Agostnell ai që doli para mediave. Tekniku italian i të kuqve foli për shumë gjëra në lidhje me këtë ndeshje duke qenë optimist për një fitore. Ai vlerësoi edhe skuadrën durrsake që këtë sezon ka një ecuri fantastike duke i kaluar pritshmëritë. Ja intervista  e plotë e Andrea Agostinellit:

Andrea Agostinelli
Andrea Agostinelli

-Jeni para një ndeshjeje shumë të rëndësishme me Teutën. Si po e përgatisni skuadrën tuaj për këtë transfertë?

Po e përgatisim në qetësi dhe me respekt të plotë për kundërshtarin. Teuta dhe trajneri i saj kanë bërë një punë të lavdërueshme në kampionat, ndaj jo më kot ndodhen në vendin e tretë.

-Nuk keni Raçiç, por rikthehet Sukaj?

“Duhet të kthehet. Kemi probleme në sulm, siç ka çdo skuadër gjatë kampionatit. Organika nuk është e plotë. Ai që futet nuk është në 100%. Por, kur grupi është i fortë, kalon çdo situatë. Çdo trajner do që të ketë më të mirën nga grupi i tij, gjithnjë në “top-formë”, por kjo nuk është e mundur.”

-Edhe Mazrekaj mungon…

Një lojtar si Mazrekajn e do gjithnjë në dispozicon, por ndodh që edhe mungon. Grupi është gjëja me e rëndësishme e jona dhe, kur ke grup të fortë, kalon çdo pengesë.”

-Si është gjendja e skuadrës pas barazimit me Skënderbeun, i cili nuk u prit mirë?

“Sigurisht, e nesërmja e barazimit me Skënderbeun është përjetuar si një dramë. Kishte zhgënjim tek të gjithë, stafi dhe lojtarët, për çka Partizani dha në fushën e lojës. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm tashmë se qëndrojmë pak më lart se Skënderbeu, pavarësisht se kjo skuadër kryeson kampionatin, ka fituar 5 tituj radhazi. Do të bëjmë maksimumin të fitojmë ndeshjen e radhës, në mënyrë që matematika të na mbajë në lojë për titullin. Pastaj, shpresojmë se do ta mundim në Korçë Skënderbeun, fazën e katërt.”

-Dy fjalë për gjykimin e ndeshjes ndaj Skënderbeut, sepse klubi ka bërë disa reklamime?

“Mendoj se edhe arbitrat, ashtu si trajnerët dhe lojtarët, gabojnë. Por, duhet të them të vërtetën: disa herë na kanë ikur kundër disa episode. Sidoqoftë, kam mbetur pozitivisht i suprizuar nga kualiteti i arbitrave këtu.”

Sa e njeh kundërshtarin, Teutën?

“Eshtë një skuadër mjaft e organizuar dhe me përgatitje të mirë fizike. E njoh Teutën dhe ua kam zbërthyer lojtarëve të mi në analizat teorike. Megjithatë, nëse duam të dalim me 3 pikët nga Durrësi, duhet të bëjmë gjithçka, të shfaqemi si në ndeshjet tona të fundit.”

Skënderbeu ka kalendar më të favorshëm dhe diferencë prej 4 pikësh. Ku e bazoni optimizmin e titullit?

Nëse fati do të ishte në anën tonë, diferenca e pikëve do të ishte ngushtuar. Ajo që më bën më shumë optimist, pra të them se Partizani ka shanse deri në fund për titullin kampion, janë paraqitjet e shkëlqyera të tij në ndeshjet e fundit.”

-Mazrekaj, a ka pasur ndonjë problem me trajnerin, pas asaj kritike që i bëtë pas ndeshjes me Flamurtarin?

“Unë kam raportë të njëjta me të gjithë lojtarët, edhe me Mazrekajn. Kam pasur përqafime, kam pasur diskutime, edhe reagime, por këto janë gjëra normale në një ekip futbolli. Dua ta përsëris një gjë, të cilën e kam theksuar shpesh. Unë dua që të fitojë Partizani, jo lojtari. Të gjithë lojtarët janë të barabartë para meje, si trajner. Kjo mendoj se është gjëja më e rëndësishme.”

-Si e konsideroni merkaton e janarit, teksa tashmë dy lojtarë janë larguar?

“Shumë pozitive. Janë afruar disa lojtarë dhe ndodh që dy-tre prej tyre të mos i përshtaten lojës së skuadrës. Dua të theksoj se nga 11 titullarët që hedh në fushë, katër janë afruar gjatë merkatos së janarit. Goditjet kanë qenë cilësore. Përfshirë edhe trajnerin, shpresoj (qesh).”

-Gjatë kësaj kohe, që drejtoni Partizanin, a keni ndonjë “pishman”?
“Po, e kam një pishman, ndeshjen me Tërbunin. Edhe barazimi në fund me Skënderbeun, por ky është futbolli. Nuk mund t’i kërkoj asgjë skuadrës, lojtarët kanë qarë në fundin e sfidës. Në Pukë po, atje jam detyruar të jem edhe i keq me skuadrën time. Pak herë më ka ndodhur, por në atë ndeshje isha i detyruar.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.