Alban Hoxha: Në Shqipëri ka mungesë profesionalizmi

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Nga festa e fitores së Partizanit te Kombëtarja. Alban Hoxha flet si kapiten, por mbi të gjitha mbetet i lidhur me ngjyrat kuqezi, pavarësisht debateve të nisura rishtazi, nëse në mungesë të Etrit Berishës porta e Shqipërisë duhej mbrojtur nga ai apo nga talenti i Lazio-s, Thomas Strakosha.

Alban Hoxha: Për ta sqaruar, sepse edhe i trashin pak këto gjëra. De Biasi nuk ka pse të më sqarojë mua për asgjë. Është mendimi i tij, e arsyeton ndryshe; ndryshe nga unë, sepse çdo njeri ka dëshirën e madhe që të luajë në Kombëtare. E sheh që portieri tjetër luan në kampionatin italian, ndoshta ka qenë në moment më të mirë se unë dhe prandaj ka luajtur Strakosha. Unë e kam thënë gjithmonë që ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares. Natyrshëm do të isha edhe më i lumtur nëse do të luaja në formacion, por më jep kënqësi fakti që jam pjesë e 23-shes së Kombëtares.

Qëndrim prej profesionisti. Një mënyrë e të menduarit dhe vepruarit, që ndoshta mungon në Shqipëri, mbi të gjitha kur në lojë hyjnë diskutimet nëse në Kombëtare duhet të ketë më tepër vend për futbollistët e kampionatit. Alban Hoxha vlerësoi se diferencat ndërmjet lojtarëve janë të vogla dhe analizoi faktorët që i penalizojnë lojtarët e Kategorisë Superiore.

Alban Hoxha : E kam të vështirë të flas edhe për këtë gjë, edhe pse mendoj se ka shumë lojtarë të kampionatit shqiptar që mund të grumbullohen në Kombëtare, por nuk mund të them që janë në gjendje të luajnë apo të jenë pjesë e 18-shes. Ka diferenca, nuk është se nuk ka, por nuk janë aq të mëdha. Me çfarë kam kuptuar unë nga Kombëtarja, ndryshimi lidhet me profesionalizmin. Kemi një mungesë profesionalizmi te klubet, sepse në Kombëtare oraret janë strikte, në stërvitje jepet 100 për qindëshi dhe nuk mund të tolerosh në asnjë moment. Për fat të keq në kampionatin shqiptar këto gjëra nuk janë.

Duke u kthyer te festa e fitores me Skënderbeun, që e ngushtoi betejën e titullit vetëm ndërmjet Partizanit dhe Kukësit, kapiteni i të kuqve zbuloi se ekipi do të marrë shpërblim, ndërsa megjithë presionin e lojës, vlerësoi garancitë që ka skuadra.

Alban Hoxha: Nuk është e rëndësishme kush paguan, e rëndësishme është festa. Gjëja kryesore është që të gjithë të jemi bashkë dhe grupi të qëndrojë i bashkuar. Ne gjithmonë kemi marrë premio për ndeshjet e forta, si kundër Tiranës, Kukësit apo Skënderbeut. Do të marrim shpërblim edhe pse nuk e di me saktësi shifrën. Janë disa ndeshje, që kërkon me patjetër fitoren dhe nuk mund të jesh aq i lirshëm. Vetvetiu gjatë lojës, pasi realizuam edhe golin, e pamë veten pak në presion. Por, duke e ditur që kemi ekip që mbrohemi mirë, ia kaluam me lehtësi, pavarësisht se patëm disa momente të vështira. Megjithatë, ne kemi siguri edhe kur i fitojmë ndeshjet 1-0.

Në ambiciet drejt titullit, vendimtare do të jetë sfida direkte me Kukësin, ndërsa Alban Hoxha kërkon që Partizani ta hipotekojë praktikën përpara ndeshjes së fundit të sezonit në Korçë.

Alban Hoxha: Ndeshja direkte është shumë e rëndësishme, si ajo ndaj Skënderbeut, ku morrëm tri pikët dhe i lamë rivalët në vend. Megjithatë, nuk është se e ka Skënderbeu në dorë, sepse mund ta kemi edhe ne në ndeshjen e fundit; mund të bëjmë më mirë. Mendoj se përballja direkte me Kukësin do të ndajë shumë gjëra. Shpresoj që kur të shkojmë në Korçë të jemi 4 pikë diferencë dhe ta kemi bërë festën më përpara. Kemi derdhur djersë gjatë gjithë kampionatit për tu shpallur kampionë dhe nuk mund të na shpëtojë me një ndeshje në Korçë që do të jetë e fundit e sezonit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.