Alban Hoxha: Tirana as ekip i fortë e as ekip i dobët

0
SHPËRNDAJE

Derbi Partizani-Tirana / Alban Hoxha është jo vetëm një prej ikonave dhe kapiten i Partizanit por edhe një lider i vërtetë në fushën e lojës për të “kuqtë”. Me 12 ndeshje derbi mbi shpatulla, gardiani i katërkëndëshit të Partizanit e njeh më mirë se kushdo në grupin e kuq rëndësinë e një sfide të tillë. Pas dy barazimeve të fundit gjatë këtij sezoni, derbi i kryeqytetit rikthehet në një moment delikat për të dyja skuadrat dhe Hoxha e pranon që kjo sfidë përmban jo vetëm emocionet e derbit por edhe peshën e madhe të pikëve që Partizanit i nevojiten për të mos u shkëputur edhe më shumë nga Kukësi kryesues.

Alban Hoxha…“Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme. Derbi ka specifikën e vet sepse luhet për shumë gjëra. Besoj se edhe Tirana do të luftojë sepse vjen nga një moment i keq. Ne dëshirojmë patjetër tre pikët sepse po luftojmë për titullin”.

29-vjeçari do të drejtojë skuadrën nga fusha e blertë dhe për herë të parë gjatë këtij sezoni, Partizani do ta luajë një ndeshje derbi në kryeqytet, pikërisht në atë që tifozët bardheblu e konsiderojnë “Shtëpia e Tiranës”.
Alban Hoxha….”Nuk ka asnjë problem për mua madje klubit i kisha thënë se nuk do të ishte problem edhe nëse luanim në Elbasan megjithatë kjo është një lëvizje pozitive për tifozët që e kishin të vështirë të na ndiqnin në Elbasan”.

Eksperienca e madhe ndër vite e bën Hoxhën edhe një prej emrave më korrektë të futbollit shqiptar. Ai përgjigjet me diplomaci kur pyetet nëse zërat për një aleancë të mundshme mes Kukësit dhe Tiranës e shqetësojnë Partizanin.

Alban Hoxha…”Nuk më intereson kjo gjë sepse ne shikojmë punën e ekipit tonë. Nëse ne marrim pikët që na duhen të tjerët le të bëjnë çfarë të duan. Nuk e di a është e vërtetë apo jo por nëse po nuk është gjë e mirë për kampionatin”.

Edhe pse ky derbi luhet në një moment vendimtar për fatet e sezonit, kapiteni i të kuqve nuk e konsideron si më të rëndësishmin në karrierën e tij. Ai shton gjithashtu se gjatë vitit 2017 skuadra ka çaluar edhe në mbrojtje, gjë që nuk kishte ndodhur gjatë dy fazave të para të sezonit, por shton se trajneri dhe stafi teknik po punojnë për të korrigjuar gabimet dhe për t’i dhënë edhe më shumë fuqi sulmit. Me 113 ndeshje në radhët e Partizanit, Hoxha ka arritur të mësojë dinamikat e një sezoni futbollistik dhe ai beson se fakti që skuadra nuk e vuan aspak presionin edhe pse është 6 pikë larg kryesuesve. Tirana vjen pas tre humbjeve rresht, por Hoxha nuk mendon se kjo mund të ndikojë negativisht apo qoftë edhe pozitivisht për Partizanin. Partizani i fortë me të fortët dhe i dobët me të dobëtit. A eshte Tirana nje skuader e forte apo e dobet? 29-vjeçari në këtë rast zgjedh diplomacinë.

Alban Hoxha…“Tirana është e mesme. Me ekipet kryesuese nuk kemi pasur shumë vështirësi por ndryshe ka ndodhur me ekipe të dorës së dytë, por Tiranën nuk e rendis në asnjë prej këtyre dy kategorive”.

Në fund një mesazh nga kapiteni edhe për të gjithë tifozët.

Alban Hoxha…“Janë mbështetja jonë shumë e madhe. Me Vllazninë mbushën stadiumin. Është një shtysë shumë e madhe dhe mendoj se këtë ndeshje do ta mbushin plot stadiumin por kështu të bëjnë në çdo ndeshje”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.