Albi Alla – Kukësi ka mosmarrveshje rreth kontratës

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Superiorja / Ka luftë të hapur mes Kukësit dhe Albi Allës për mosmarrëveshjet rreth kontratës së nënshkruar mes palëve një vit më parë. Mbrojtësi 24-vjecar, edhe pse është në listën e futbollistëve për pjesëmarrjen historike të verilindorëve në turin e dytë të Uefa Champions League, nuk është paraqitur në seancat stërvitore të këtyre ditëve që ka zhvilluar skuadra e Ernest Gjokës, në kompleksin Internacional në Pezë Helmës, pasi pretendon se i ka përfunduar kontrata 1 -vjecare me Kukësin me mbylljen e kampionatit.

Që pas sfidës së fundit të edicionit të kaluar ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, Kukësi dhe Albi Alla nuk janë më bashkë.Por nëse mbrojtësi kërkon largimin nga Kukësi pasi është i bindur që i ka përfunduar marrëveshja që ka firmosur një vit më parë me kampionët e Shqipërisë, drejtuesit e Kukësit pretendojnë krejt kundërtën dhe janë të sigurtë se Alla do të jetë pjesë e tyre edhe në pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pasi kërkojnë të mos privohen kurrësesi nga një prej elementëve më të rëndësishëm të repartit mbrojtës.

Menaxheri i Allës deklaroi se kontrata e nënshkruar nga mbrojtësi ka skaduar në fund të sezonit të kaluar, por mesa duket luftën mes futbollistit dhe klubit do ta fitojë Kukësi, sepse Supersport ka zbuluar kontratën e firmosur nga 24-vjecari një vit më parë dhe në të dallohet qartë që është e përfshirë një klauzolë e cila mban e të lidhur Allën me Kukësin edhe për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, në këtë rast në Uefa Champions League. Në sezonin e fundit mbrojtësi pogradecar formoi një dyshe të pakalueshme me Ylli Shametin në qëndër të prapavijës duke ndihmuar Kukësin të fitonte titullin e parë kampion në historinë e klubit. Falë formës së mirë të shfaqur me verilindorët, Albi Alla u grumbullua edhe në kombëtaren shqiptare, duke debutuar në miqësoren ndaj Bosnje Hercegovinës.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.