Analiza e fazës së 3-të, si ka ndryshuar klasifikimi i skuadrave

0
SHPËRNDAJE

Krahasuar me dy rivalët e tjerë në garën për titull, Partizani ishte klubi i Kategorisë Superiore që lëvizi më shumë në merkaton e dimrit duke afruar në ekip disa futbollistë cilësorë. Por kur janë luajtur 3 javët e para të fazës së tretë, Të Kuqtë janë skuadra që kanë humbur më shumë terren në klasifikim pasi nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë vitin 2017-të. Pas 18 ndeshjeve të para Partizani pozicionohej në vendin e 2-të me vetëm 1 pikë më pak se Kukësi që kryeson. Gjithsesi, kur janë luajtur 3 ndeshjet e para të këtij viti skuadra e Starovës e sheh veten 6 pikë në renditje pas verilindorëve, ndërkohë që është lënë pas në klasifikim edhe nga Skënderbeu.

Nëse do të bënim një renditje hipotetike për vitin e ri, klasifikimi do të kryesohej nga Kukësi dhe Skënderbeu. Skuadra e Gjokës dhe ajo e Dajës kanë bërë më të mirë në 2017-tën duke regjistruar nga 3 fitore në po aq ndeshje, me ndryshimin e vetëm që Kukësi ka shënuar një gol më shumë se Skëndërbeu dhe ndodhet në krye. Një ecuri shumë të mirë në këtë vit të ri ka patur edhe Luftëtari që me 2 fitore dhe 1 humbje ka grumbulluar 6 pikë duke lënë pas në renditje Tiranën dhe duke u ngjitur në vendin e 4-t, pas 21 javëve kampionat. 6 pikë sa Luftëtari ka grumbulluar edhe Laci që prishi startin fantastik të 2017-tës me atë humbje minimale në Korcë ndaj Skënderbeut.

Në klasifikimin e këtij viti, Teuta dhe Partizani ndajnë vendin e 5 dhe të 6, me Djemtë e Detit që kanë goleavarazh më të mirë se Të Kuqtë pasi të dyja skuadrat kanë marrë nga vetëm 4 pikë. Vllaznia dhe Flamurtari kanë patur të njëjtën ecuri me nga një fitore dhe 2 humbje dhe pozicionohen në vendin 7 dhe 8, ndërkohë që shkodranët falë suksesit ndaj vlonjatëve në Loro Borici, e cuan në 4 pikë avantazhin ndaj zonës së ftohtë në renditjen e përgjithshme. Tirana dhe Korabi janë dy skuadrat që kanë zhgënjyer më shumë në këtë fillim viti sepse kanë pësuar nga 3 humbje duke mos marë asnjë pikë. Bardheblutë dhe dibranët ndajnë mes tyre dy vendet e fundit të kësaj renditjeje hipotetike, që i buzëqesh më tepër Kukësit, Skëndërbeut, por edhe Luftëtarit e Lacit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.