Analiza / Kategoria e Parë, shtohen akuzat për tolerime

0
SHPËRNDAJE
loading...


Janë luajtur vetëm 90 minutat e para të fazës së tretë të kampionatit dhe besueshmëria e garës është në nivele minimale. Duket se edhe këtë sezon do të përsëritet historia e një viti më parë. Për të paktën tri ndeshje, ku kanë luajtur ekipet pretendente që kërkojnë Superioren, ka pasur akuza dhe janë hedhur dyshime të forta.

Sipas vetë aktorëve, presidentëve, administratorëve apo në një rast flagrant të faqes zyrtare të klubit, ndeshjet Burreli-Kamza (1-2), Erzeni-Besëlidhja (0-1) dhe Tomori-Lushnja (0-1) kanë prodhuar rezultate të dyshimta.

Ishte presidenti i Kamzës, Naim Qarri që denoncoi paktin mes shijakasve dhe lezhjanëve që u pasua me dorëheqjen e ish-administratorit Altin Keçi dhe deklaratën “bombë” nga faqja e klubit të Erzenit se takimi ishte i toleruar. Më tej, ish-administratori i Burrelit, Kastriot Rama tha se skuadra i kishte lënë ndeshjen Kamzës, ndërsa në fund të dy trajnerët e ekipit matjan dhanë dorëheqjen.

Edhe në Berat ka nisur “gjuetia” dhe janë pezulluar tetë lojtarë, në një kohë që dyshohet se ka pasur tolerim në sfidën me lushnjarët. Rrjetet sociale ziejnë nga reagimet e tifozëve dhe dyshimet janë shqetësuese. Për sa u përket ndeshjeve, Besëlidhja fiton me një gol të dyshimtë, në një kohë që lojtarët shijakas protestuan për pozicion jashtë loje.

Skema e re që aplikohet për herë të parë, po rezulton dështim pasi është luajtur vetëm një takim. Në të dyja minigrupet ku luhet për elitën, diferencat mes dy skuadrave të para me të tjerat janë të mëdha. Në Grupin A, vendi i tretë është tetë pikë larg kreut, ndërsa në Grupin B, Pogradeci është nëntë pikë larg Lushnjës. Duket se vetëm dy ekipet e para të çdo grupi do të rivalizojnë mes tyre deri në fund. Të tjerat kanë hequr dorë dhe e kanë thuajse të pamundur për të pretenduar vendin e parë.

Për sa u përket minigrupeve ku do të diskutohet mbijetesa, lufta duket më e fortë dhe e hapur. Megjithatë, edhe në këtë pjesë ka një non-sens. Dy klube me të njëjtin pronar, Bashkinë e Krujës, Kastrioti dhe Iliria janë në të njëjtin grup ku do të luftojnë mes tyre mbijetesën. Dihet tashmë se si përfundoi takimi i fazës së dytë ku skuadra krutane toleroi në mënyrën më të shëmtuar duke ua lënë ndeshjen fushëkrujasve.

Besa hodhi një hap të rëndësishëm drejt shpëtimit pas suksesit 1-0 në transfertën e Mamurrasit. Ndërsa Iliria siguroi 3-pikëshin e radhës në “derbin” me Kastriotin. Sopoti dhe Apolonia ndanë nga një pikë në përballjen e luajtur në Peqin, në një kohë që sfida mes Dinamos dhe Turbinës ishte një “luftë” e vërtetë, si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit ku pati përplasje mes tifozerive.

Gjithçka ka nisur në mënyrën më të keqe në një garë ku akuzohet për tolerime, hidhen dyshime dhe vendosen ndeshje me urdhër nga tavolinat. FSHF vetëm ka heshtur përballë gjithçkaje që po luhet nën sytë e qindra tifozëve, dhjetëra lojtarëve dhe zyrtarëve njëkohësisht.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.