Analiza / Mbijetesa, Laçi dhe Tirana më të rrezikuarat

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Tirana është në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të ndeshet me Skënderbeun, por rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria Superiore, duke parë kalendarin në 6 javët e mbetura. Tirana ndodhet 3 pikë para Laçit, që mban vendin e parafundit në renditje dhe që të rrëzon një kategori më poshtë, pra vetëm një fitore larg. Tirana nuk ka fituar asnjë ndeshje në kampionat për këtë vit dhe skuadra paraqet probleme nga ndeshja në ndeshje. Duke filluar nga derbi me Partizanin, Tirana ka një kalendar më të vështirë. Përjashto ndeshjen me Korabin e vendit të fundit (por edhe ky kundërshtar mund t’i hapë probleme nga konflikti për stadiumin), bardheblutë të 5 ndeshjet e tjera i ka për “jetë a vdekje”.

Tirana, në dy ndeshjet e radhës rrezikon të mos marrë asnjë pikë, pasi do të ndeshet me Partizanin dhe me Flamurtarin në transfertë, me këtë të fundit që e ka edhe rival direkt. Bardheblutë do të “marrin frymë” në javën e 33-të, por një javë më pas udhëtojnë në Korçë, çka e kompromenton dukshëm pozicionin në renditje. Në fund, ka dy ndeshje me kundërshtarë që luftojnë për vendin e katërt, me Luftëtarin dhe me Vllazninë në Shkodër. Rreziku është konstant për Tiranën.

Skuadra e dytë që rrezikon shumë është Laçi, jo vetëm për nga renditja aktuale, por edhe sepse që këtë javë do të udhëtojë në Kukës.  Më pas pret Luftëtarin, një skuadër që shumë e vështirë t’i marrësh tri pikët. Java e 33-të është sërish “zjarr” për kurbinasit, të cilët luajnë në Tiranë me Partizanin. E vetmja ndeshje ku mund të marrin pikët e plota është në javën 34 me Vllazninë në Laç,pasi një javë më pas udhëtojnë në Vlorë. Për ta mbyllur në shtëpi me Teutën, ku durrsakët mund t’u duhen pikë për veten e tyre.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.