Analizë/ Starton faza e dytë, ja përballjet më interesante

0
SHPËRNDAJE

kukesi-vllaznia

Kategoria Superiore do të startojë fazën e dytë këtë fundjavë ku sfida kryesore do të luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Korçarët megjithëse kryesojnë renditjen nuk po kalojnë një moment pozitiv, ku kanë koleksionuar 2 pikë në 3 ndeshjet e fundit, ç’ka ka bërë që pankina e trajnerit Agostinelli të pësojë tronditje serioze, madje përflitet se çdo rezultat tjetër përveç fitores në këtë sfidë do t’i kushtojë vendin e punës teknikut italian.

Kampionët kanë disa probleme në kuadër të kësaj përballjeje. Mbrojtësi i djathtë Kristi Vangjeli dhe qendërmbrojtësi Tefik Osmani janë të pezulluar. Në këtë mënyrë me shumë mundësi trajneri Agostinelli do të aktivizojë ish-lojtarin e Flamurtarit sezonin e shkuar, Hektor Idrizaj dhe mbrojtësin tjetër Bajram Jashanica. Përsa i përket sulmit gjasat janë që Adeniyi të vendoset pas krahëve të Hamdi Salihit.

Vlonjatët megjithëse ende nuk janë shlyer financiarisht, në aspektin sportiv vijnë më të qetë pas fitores 4-1 ndaj Korabit. Trajneri Mezani do ta bazojë sërish lojën e tij tek mesfushorët Shkodra e Telushi, që duket se është rikuperuar, pa anashkaluar lojtarin më të mirë të sfidës ndaj dibranëve, sulmuesin Tomislav Busiç.

Mirel Josa do ta nisë aventurën e tij të tretë në stolin e Tiranës në sfidën ndaj Teutës. Në kaq pak kohë në dispozicion, tekniku Josa nuk pritet të revolucionojë formacionin e paraardhësit Ilir Daja, ku në mesfushë do të jenë Ndockyt, Karabeci dhe Muzaka, ndërsa rolin e anësorëve do ta mbulojnë Nika e Nkounkou, me Cisse në qendër të sulmit.

Teuta nën drejtimin e të rikthyerit Gugash Magani mposhti 3-0 Laçin dhe do të kërkojë të përfitojë nga gjendja jo e mirë e bardhebluve.

Partizani do të përurojë rindërtimin e tapetit të stadiumit të Gjirokastrës në takimin ndaj Luftëtarit. Starova vjen në këtë përballje me bindje të qarta tek cilësia e skuadrës pas paraqitjes pozitive kundër Skënderbeut, teksa të kuqtë nuk pësojnë gol prej 4 javësh ndërsa kanë koleksionuar 10 nga 12 pikët e mundshme. Trajneri i kryeqytetasve nuk ka të disponueshëm për shkak kartonësh Renaldo Kalarin dhe mesfushorin Idriz Batha, ndërkaq do të mungojë edhe i dëmtuari Fejzullahu. Gjasat janë që në mbrojtje ku është edhe emergjenca më e madhe të aktivizohen Ibrahimi, Krasniqi, Atanda e Trashi. Megjithatë ka edhe një lajm pozitiv që është rikuperimi i plotë i Mentor Mazrekajt, megjithëse kosovari do ta nisë nga stoli.

Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Vllazninë. Dëmtimi më i fundit i mbrojtësit Entonio Pashaj i ka dhënë një goditje të rëndë trajnerit Ernest Gjoka i cili në rolin e mbrojtësit të djathtë i ka alternativat e pakta pasi edhe Arbri do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Ka gjasa që tekniku i bluve të aktivizojë në atë rol Rexhep Meminin. Faza sulmuese ka shumë mundësi t’i besohet sulmuesit Izair Emini dhe mesfushorit Edon Hasani që do të rreshtohen pas krahëve të goleadorit Pero Pejiç.

Kjo javë e 10-të e Kategorisë Superiore do të plotësohet nga takimi Laçi-Korabi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.