Ansi Agolli: Në maj mund të rikthehem te Tirana

0
SHPËRNDAJE
loading...

“Tirana është skuadra ku kam marrë bazat e mia, mbase një ditë mund të rikthehem, ndoshta edhe këtë verë, mund të ndodhin shumë gjëra sepse jam në një moshë ku nuk mund të bësh plane afatgjate.”

Lajme të mira nga Turqia për Tiranën, jo nga kampi bardheblu por nga ai i Qarabakut, skuadrës azere që po zhvillon fazën stërvitore në Antalia pjesë e së cilës është dhe Ansi Agolli. Kapiteni i Kombëtares, lë të hapur mundësinë e një rikthimi në skuadrën ku u rrit futbollistikisht që në verën e ardhshme.

Në dijeni të zhvillimeve të Kategorisë Superiore, Agolli këshillon se Tiranës i duhet të shmangë presionin për të gjetur vazhdimësinë. Kontrata me Qarabag ku ka fituar 3 kampionate dhe 3 kupa i skadon në fund të sezonit.

Për momentin jam i fokusuar te faza pergatitore dhe pjesa e dytë e kampionatit, do të ulemi me klubin e Qarabag dhe do të bisedojmë edhe për këtë çështje.”

Kapiteni kuqezi flet edhe për Kombëtaren. Grinta e mbrojtësit Agolli shërben në një moment të tillë, teksa Shqipërisë i duhet të përgjigjet në fushë pas rezultateve të fundit.

“Ky sezon ka qenë i mirë edhe me Kombëtaren pas pjesëmarrjes në Euro 2016. E dinim që nuk do të ishte njësoj, e nisëm mirë me dy fitore me Maqedoninë dhe Lihtensteinin. Humbja me Izraelin na ka lënë një shije jo të mirë. Duhet të reagojmë dhe reflektojmë, sepse skuadrat e mira në këto momente duken sesi do të reagojmë.”

Gjithçka rinis nga sfida me Italinë në 24 mars. Agolli beson se duke dhënë maksimumin Shqipëria mund të na dhurojë një kënaqësi të madhe në Palermo, aty ku shpreson që edhe tifozët kuqezi të jenë të shumtë në numër.

“Rezultat pozitiv me Italinë? Çdo gjë është e mundur në futboll, edhe rezultati pozitiv ndaj një skuadre të madhe. Me reagim kuptoj të bëjmë lojërat tona të mira, sepse me skuadra të mëdha si Italia çdo gabim mund të na kushtojë. Duhet të përqendrohemi edhe te detajet. Ne jemi ndër në të mirët në klubet tona, ndaj duhet ta reflektojmë edhe në Kombëtare”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Ansi Agolli. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.