Argjentina luan tenis me Paraguajin. E sheh veten në finale (Video)

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Kupa e Amerikës
Argjentinë – Paraguaj 6-1
Shënues: Rojo 15’, Pastore 27’, Di Maria 47’ 53’, Aguero 80’, Higuain 84’/ L.Barrios 43’

Formacionet:
Argjentina: Romero, Zabaleta, Demichelis, Otamendi, Rojos, Mascherano (Gago 77’), Pastor (Banega73’), Biglia, Messi, Di Maria, Aguero (Higuain 81’). Trajner: G.Martino

Paraguaj: Villar, Aguilar, da Silva, N.Valdez (Romero 56’), Piris, Benitez, Ortiz, Caceres, Gonzales (Bobadilla 27’), Santa Cruz (Barrios 30’), B.Valdez. Trajner: R.Diaz

Messi në aksion
Messi në aksion

Argjentina ka “shpartalluar” Paraguajin në gjysëmfinalen e Kupës së Amerikës me rezultatin tenistik 6-1. Ka qënë një ndeshje magjike kjo për argjentinasit, të cilët të udhëhequr nga lideri i tyre Messi ishin në një formë fantastike. Edhe pse nuk arriti dot të shënonte vetë, ylli i Barcelonës dha 3 asiste për shokët e tij, që nuk e kishin të vështirë të shënonin. I gjithë ekipi funksionoi në mënyrë të përsosur, ndërsa për ekipin e Paraguajit kjo do të mbetet një ëndërr e keqe. Argjentinasit ishin të papërmbajtshëm duke shënuar plot 6 herë, dhe duke treguar se përse ata mbeten favoritët kryesorë për të fituar Kupën e Amerikës këtë edicion. Kjo ndeshje gjysëmfinale e tregoi më së miri këtë gjë. Në finale Argjentina do të përballet me ekipin e vendit organizator, Kilin, për të vendosur se kush do të marrë kurorën e Amerikës Latine.

Marcos Rojos pas golit të parë
Marcos Rojos pas golit të parë

Pjesa e parë/
Loja ka nisur thuajse e barabartë nga të dyja ekipet, të cilat në fillim luajnë me mjaft kujdes për të mos pësuar gol në minutat e para të takimit. Me kalimin e minutave do të ishte Paraguaji që do të rrezikonte me anë të Santa Cruz, por goditja e sulmuesit paraguajan në ‘7 do të përfundonte jashtë. Në ’15 do të vinte goli i parë i takimit. Marcos Rojo do të shënojë një supergol për t’i dhëne avantazhin të tijve. Ai merr një krosim në zonë nga Leo Messi i cili ekzekuton mjaft mirë një goditje dënimi dhe e dërgon topin në rrjetë pas një goditje spektakolare. 1-0 dhe gjërat bëhen më të thjeshta për Argjentinën. Shënimi i golit i jep më tepër besim lojtarëve të Tata Martinos, që duke patur edhe Messin në fushë luajnë më të çliruar. Vetëm pak minuta më pas, Pastore do të kishte një mundësi të artë shënimi, por edhe pse i gjendur i vetem përballë portierit Villar nuk ka arritur do të shënojë pasi ky i fundit ka bërë një mrekulli duke e ruajtur portën nga goli i dytë. Argjentina luan më mirë, dhe me një Messi në superformë në ’27 do të arrijë të dyfishojë rezultatin. Mesfushori i PSG, Javier Pastore këtë rradhë do të rregullojë shënjestrën pas një topi të marrë sërish nga Messi brenda zonës, duke mos falur dhe dërguar topin pas krahëve të portierit. 2-0 dhe Argjentina duket e sigurtë drejt finales, por vetëm dy minuta para fundit të pjesë së parë Lucas Barrios do të ngushtonte shifrat në 2-1. Sulmuesi merr një top brenda zonës nga Valdez, dhe godet mjaft bukur duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Romero. Me golin e Paraguajit do të mbyllej edhe pjesa e parë me shifrat 2-1 për Argjentinën.

Di Maria pas një goli
Di Maria pas një goli

Pjesa e dytë
Pjesa e dytë nis menjëherë furishëm për djemtë e Martinos. Vetëm pas dy minutash, pikërisht në të ’47’, Angel Di Maria, do të shënonte golin e tretë për ekipin e tij. Mesfushori i Manchester United merr një top mjaft të mirë brënda zonës dhe godet me mjeshtëri duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën e djathtë, aty ku portieri Villar e ka të pamundur të reagojë. 3-1 dhe Argjentina merr kontrollin e ndeshjes. Paraguaji duket mjaft i shpërqëndruar dhe e ka të vështirë të përballojë furinë e sulmeve të Messit me shokë. Është sërish Di Maria ai që do të shënojë për të mbyllur përfundimisht këtë takim. Në ’53 Pastore godet brenda zonës por topi i tij devijohet dhe shkon tek këmbët e Di Marias, që i ndodhur në vendin e duhur nuk e ka të vështirë të shënojë duke e “vrarë” këtë ndeshje. 4-1, por sërish është formacioni i Tata Martinos ai që vazhdon të sulmojë. Messi në një formë mjaft të mirë, kërkon që të shërbejë më shumë për shokët e skuadrës. Di Maria do të kishte një tjetër rast shënimi, por këtë rradhë portieri i Paraguajit do të reagojë mjaft mirë duke i mohuar golin e pestë për ekipin dhe tripletën personale. Edhe “pleshti” do të kishte mundësitë e tij, por u ndal nga portieri Villar në goditjet që bëri. Në ’73 dhe ’76 trajneri argjentinas mendon të bëjë dy zëvëndësime për të pushuar disa nga lojtarët kryesorë duke hedhur në fushë Banegën për Pastoren dhe Gagon për Mascheranon. Pasi dështoi të shënonte tripletën personale, në ’80, Angel Di Maria, lëshon një pasim të bukur për Agueron i cili nuk fal duke realizuar edhe golin e pestë duke e kthyer në një goleadë këtë përballje. Menjëherë pas golit, sulmuesi i City-t del nga fusha dhe në vendin e tij futet Gonzalo Higuain. Në topin e parë që do të prekë sulmuesi i Napolit do të lërë gjurmën e tij në këtë ndeshje. Në ’84 Messi jep sërish një top të mirë, dhe Higuain godet pa u menduar dy herë duke realizuar edhe golin e gjashtë që vulos natën magjike për Argjentinën, duke e dërguar ekipin në finale ku do të përballet me ekipin e vendit organizator Kilin.

Aguero duke festuar pas golit të shënuar
Aguero duke festuar pas golit të shënuar

S'KA KOMENTE

Comments are closed.