Armando Cungu i beson Vllaznisë fituese, në “Zeqir Ymeri” synohen pikë për vendin e 4-t

0
SHPËRNDAJE

Vllazninë e pret një takim i vështirë këtë javë, transferta e Kukësit. Ndonëse kuksianët konsiderohen si favoritë, kuqeblutë kanë ambicie për këtë sfidë, pasi kërkojnë të ngjisin një vend më lart në renditje.

Objektivi për vendin e katërt, si një biletë e mundshme për në Europë, sigurisht që kalon edhe nga takimi i së dielës në Kukës. Edhe një pikë në stadiumin “Zeqir Ymeri” do të ishte arritje pozitive për Vllazninë.

Në kampin kuqeblu ka besim se do t’ia dalin një gjëje të tillë.

Ndërkohë, nisur nga ajo që është shikuar përgjatë gjithë këtyre ditëve të përgatitjeve për këtë transfertë, trajneri Armando Cungu me sa duket do t’i qëndrojë besnik formacionit fitues. Ai ka besim jo vetëm te lojtarët e tij për atë që shfaqën ndaj Tiranës, por edhe te forma e mirë që po kalojnë.

Pavarësisht rikthimit të mbrojtësit Stefan Cicmil në mbrojtje, apo gatishmërisë dhe rivalitetit në mesfushë, me sa duket Cungu nuk do ta ndryshojë formacionin e javës së shkuar.

Forma e mirë që po kalon portieri Erind Selimaj e bën titullar edhe ndaj Kukësit. Në mbrojtje do të jenë Olsi Gocaj nga e djathta, Denis Pjeshka nga e majta, ndërsa në qendër dyshja Ditmar Bicaj-Endri Vrapi. Në mesin e fushës do të jenë sërish Eraldo Çinari dhe Ndrçim Shtubina nga krahët dhe treshja e zakonshme Alsid Tafili, Ardit Krymi dhe Florind Bardulla në qendër. Në sulm do të jetë Elis Bakaj, që i ka dhënë garanci ekipit në fazën ofensive.

Ndeshja Kukësi-Vllaznia do të luhet ditën e dielë, duke nisur nga ora 16:00 në stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në SuperSport 3 HD. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.