Arrihet marrëveshja, Flamurtari i shpëton rënies nga Superiorja

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15129630_1260535150688671_3817223968952940125_oFlamurtari i shpëton rënies nga Kategoria Superiore një ditë para skadimit të afatit. Pasi i hoqi gjashtë pikë në renditje, Komisioni i Disiplinës në FSHF i la klubit vlonjat 12 ditë kohë për t’u paguar borxhin prej 150 mijë eurosh futbollistëve Franc Veliu, Artan Sakaj dhe Polizoi Arbri.

Administratori Sinan Idrizi vazhdimisht ka këmbëngulur për parregullsi në kërkesën dhe penalizimin e marrë, por në fund është dorëzuar duke arritur në një marrëveshje me lojtarët. Sipas akordit, të tre futbollistët kanë marrë një pjesë të borxhit, dhe në këmbim kanë kërkuar ndalimin e penalizimeve të mëtejshme për klubin.

Megjithatë, pezullimi i çështjes mbetet i përkohshëm dhe Flamurtari ka kohë deri në fund të janarit 2017 për të shlyer përfundimisht detyrimet ndaj lojtarëve.

Mësohet se paratë për këstet e para që iu dhanë tre mbrojtësve Veliu, Sakaj dhe Arbri janë siguruar nga e drejta televizive që prej kohësh klubit vlonjat i mbaheshin të bllokuara nga FSHF.

Ndërkohë, edhe lojtarët e tjerë të cilët kanë paga të prapambetura do t’i marrin ato në të njëjtën mënyrë sikurse Veliu, Sakaj dhe Arbri.

Sakaq, Flamurtari ka gjetur marrëveshjen edhe me mesfushorin Erjon Vucaj në lidhje me borxhin që klubi vlonjat i detyrohet atij. Shkodrani do të paguhet me dy këste.

Këstin e parë pritet që ta marrë sot, ndërsa tjetrin në muajin shkurt. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.