Asambleja e FSHF, klubet me propozime

0
SHPËRNDAJE
loading...

Ka qenë një asamble ndryshe ajo e radhës, termi e zakonshme në të kaluarën ka përcjellë një rutinë proceduriale me ngritje kartonash, nuk ndodhi kështu këtë herë kur nuk munguan propozimet nga klubet por gjërat me radhë.

Pas fjalës përshëndetëse të përfaqësueses së UEFA Eva Pasque, zv / ministres së Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, presidentit të FFK Fadil Vokrri, dhe presidentit të KOKSH Viron Bezhani që e cilësoi FSHF një shembull për t’u ndjekur dhe nga federatat e tjera përshëndeti punimet dhe trajneri i Kombëtares Gianni De Biasi.

“Jam këtu për t’iu falënderuar për mbështetjen që i keni dhënë Kombëtares tonë me rastin e Euro 2016. Suksesi që FSHF dhe Kombëtarja pati në europian, duhet të shërbejë si një shkundje që lëvizja futbollistike shqiptare të zhvillohet në vazhdimësi.

Të gjithë bashkë punojmë për përmirësimin e futbollit në Shqipëri dhe kjo fillon nga të rinjtë”.

Gjithsesi në fjalën e tij për të dytën herë brenda pak ditëve presidenti i FSHF Armand Duka një shkundje e kërkoi edhe për Kombëtaren.

“Paraqitja e Kombëtares sonë në “Euro 2016” tregoi se jemi rritur në futboll dhe jemi në rrugë të mbarë. Për këtë kanë të gjithë meritë.

Në edicionin e ri ndoshta ka munguar grinta nga dehja e Francës. Ka ardhur koha të rizgjohem”.

Në fjalën e tij numri një i futbollit shqiptar vlerësoi rritjen e nivelit dhe konkurencën në Superiore, pjesëmarrjen dinjitoze të Partizanit në Europë, punën mjaft të mirë me Kombëtaret e moshave, futbollin e femrave, futbollin e sallës, pa evituar dhe fenomenet negative duke kërkuar më tepër bashkëpunim për eleminimin e dhunës pa lënë mënjanë edhe trukimet.

“Ndeshjet e dyshuara për trukim kanë pësuar rënie të ndjeshme, por fatkeqësisht nuk kanë shkuar zero. Problematikë mbetet edhe sjellja e tifozërive.

Grupime të ndryshme i tejkalojnë normat e caktuara dhe për këtë arsye kërkohet bashkëpunim i policisë, klubeve dhe administratës së FSHF. Po përgatisim një kuadër të ri ligjor për të rregulluar këtë situatë.”

Duka paralajmëroi një reformë edhe në futbollin e moshave ku FSHF do të bëjë shumë shpejt rregullatorin e gjithë aktiviteteve qoftë edhe atyre provarte. Një detaj mjaft i rëndësishëm është se FSHF ka financa solide, diçka që u reflektua edhe në raportin financiar të vitit që lamë pas, ku FSHF ka arkëtuar 3.297, 190 mijë lekë, shpenzimet kanqë qenë 2.616.408 mijë lekë duke krijuar një sufiçit prej 680 782 mijë lekë.

Në Asamble u miratua buxheti për vitin e ardhshëm, si dhe u bënë disa ndryshime në kodin e drejtësisë sportive. Ndryshe nga herët e tjera këtë herë nuk munguan propozimet e klubeve, ku spikati fjalimi i drejtorit të përgjithshëm të Partizanit Genci Tomori ku ndër të tjera theksi u vendos te rritja e shkallëve të drejtësisë sportive në vend.

“Eshtë një nevojë urgjente krijimi i Komisionit të Arbitrazhit Federativ, si shkalla më e lartë në rang vendor për gjykimin e konflikteve me karakter disiplinor apo kontraktor në futboll.

Krijimi dhe konstituimi i Komisionit të Arbitrazhit Federativ është një praktikë krejt e zakonshme e federatave europiane. Eshtë një model që gjen aplikim prej më shumë se dy dekadash në Itali, Francë, Gjermani, Angli, Poloni, Greqi, Serbi etj. dhe ka dhënë rezultate mëse të kënaqshme.

Ne vlerësojmë se për sa i përket këtyre fenomeneve, sidomos çështjes së trukimeve raporti duhej të përmbante në mënyrë të detajuar punën konkrete të FSHF në këtë drejtim si dhe punën konkrete të Komisionit të Etikës për kundërvendosjen ndaj këtij fenomeni tepër shqetësues. Në kohën kur çështja e trukimeve nga ekipe të caktuara shqiptare, ka marrë dhe përmasa ndërkombëtare në kuptimin e masave të marra nga organizmat e huaja si UEFA dhe CAS, nuk gjejmë asnjë pasqyrim konkret për luftën që është bërë, bëhet dhe do të bëhet ndaj këtij fenomeni.”

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv Artan Hajdari u përgjigj në lidhje me nevojën e ngritjes së strukturave të drejtësisë sportive duke theksuar se statuti aktual është në përputhje me rregullat e FIFA dhe UEFA, ndërsa vendosi në dukje se diçka e tillë ka një kosto të konsiderushme financiare, ndërsa nuk mungoi një përgjigje edhe nga kreu i FSHF Duka.

Të tjera propozime interesane erdhën nga presidenti i Tiranës Refik Halili, i cili kërkoi rritjen e të ardhurave nga e drejta televizive si dhe të çmimeve për fituesit e Kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

Drejtori sportiv i Flamurtarit, Ardi Behari i dha zë kërkesave të tjera për rritjen e numrit të futbollistit të huaj që lejohen në fushë si dhe të numrit të kartonave për pezullim. Propozime këto që u morën në konsideratë nga kreu i FSHF i cili u trega u hapur që komisionet e ekspertëve të vendosin ndryshimet e mundshme duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.

Pikërisht falë zërit të klubeve që këtë herë nuk u mjaftuan me ngritjen e kartonit, mbledhja më e rëndësishme e futbollit shqiptar, këtë herë ishte më konstruktive. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.