Balaj entuziast: “Pres të debutoj me fitore”

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ Ai gol fantastik i Bekim Balajt në Aveiro ndaj Portugalisë i hapi rrugën kualifikimit historik të Shqipërisë në Europian, por edhe pse luajti një rol shumë të rëndësishëm në eliminatore, sulmuesi shkodran ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Euro 2016-të.

Bekim Balaj
Bekim Balaj

Balaj i ka ndjekur nga stoli dy ndeshjet e para të Kombëtares Kuqezi në Grupin A, ndaj Zvicrës dhe Francës, por ky fakt nuk e demoralizon 25-vjecarin, i cili po pret momentin e tij.

“Të them të drejtën që në momentin që kemi ardhur këtu kam qenë në dispozicion të skuadrës për të dhënë maksimumin tim, gjithsesi është trajneri ai që vendos. Në ndeshjen ndaj Francës mund të isha aktivizuar në minutat e fundit por dëmtimi i Ajetit prishi planet e trajnerit. Megjithatë unë po përgatiem makismalisht dhe shpresoj që ndaj Rumanisë të vijë momenti tim”.

Balaj është i bindur se ndaj Rumanisë të Dielën në Lyon do të ketë minutat e tij dhe nuk mendon kurresesi se do ta mbyllë Europianin francez pa debutuar.

“As që mund ta mendoj se mund ta mbyll Europianin pa luajtur fare. Kemi edhe një ndeshje tjetër për të luajtur dhe shpresoj të bëj debutimin tim.”

2 humbje dhe asnjë pikë e grumbulluar në dy ndeshjet e para në grup ndaj Zvicrës dhe Francës, kanë pakësuar shanset e Shqipërisë për të avancuar në raundin e 1/8-ave të Euro 2016, por Balaj nuk e humbet besimin dhe shpreson deri në fund te kualifikimi.

“Kemi marrë dy humbje normalisht të pamerituara por gjithsesi janë dy humbje dhe kemi 0 pikë. Ndeshja me Rumaninë është shansi ynë i fundit, do të japim maksimumin për ta fituar këtë sfidë, dhe më pas do të shpresojë të rezultatet e skuadrave të tjera për të tentuar kualifikimin. Mendoj se në këtë ndeshje duhet të japim akoma edhe më shumë se në dy ndeshjet e para për të marrë fitoren e parë në Euro 2016-të”.

Pavarësisht humbjeve, Shqipëria ka bërë dy paraqitje shumë të mira në 2 ndeshjet e para dhe që tani mund të thuhet me plot gojën se kuqezinjtë e Gianni De Biasit e kanë fituar europianin e tyre. Megjithatë Balaj mendon se Shqipëria nuk do të largohet pa asnjë pikë nga Franca.

Si eksperiencë e parë kemi bërë paraqitje pozitive, dhe mendoj se të gjithë e pranojnë që Shqipëria e ka fituar Europianin e saj duke qenë këtu në Francë. Në dy ndeshjet e para edhe pse kemi luajtur mirë nuk kemi marrë rezultat por duhet t’i gëzohemi paraqitjeve tona dhe të tentojmë të bëjmë maksimumin në ndeshjen e fundit të grupit për të marrë edhe pikat e para në këtë kampionat Europian”. /SuperSport/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.