Balaj: Katër humbje radhazi nuk na vjen mirë, por nuk është për t’u alarmuar

0
SHPËRNDAJE

Për sulmuesin Bekim Balaj, goli i radhës me përfaqësuesen e Shqipërisë nuk ka sjellë fitoren, por ai ka treguar se gjen me rregullësi rrugën e rrjetës, pasi ky ishte goli i tij i tretë me fanellën kuqezi që pas Euro 2016. Shkodrani, në prononcimin e tij për SuperSport dhënë gazetarit Egi Duro, tregoi mendimet e tij për ndeshjen me Bosnjë Hercegovinën por pranoi se kishte ndjerë pak zhgënjim kur kishte ndjekur nga stoli sfidën me Italinë.

“Normalisht që katër humbje radhazi nuk na vjen mirë vetëm ne, po të gjithëve. Duke parë kundërshtarët, ndeshjet që kemi zhvilluar, them se nuk është për t’u alarmuar. Që në ndeshjen në Izrael mund ta prishim këtë seri rezultatesh dhe të pretendojmë për një fitore atje”.

“Mund të them që nuk jam dakord. Të paktën sot ishte një ndeshje që e kishim nën kontroll, mendoj që golat ishin fragmente dhe gabime deri diku tonat. Loja mund të merrte edhe rrjedhë tjetër nëse nuk shënoheshin golat e Bosnjës që ia dhuruam”.

“Të them të drejtën nuk është Balaj që vendos me çfarë moduli luan ekipi, është trajneri De Biasi që bën zgjedhjet. Gjithsecili që ka luajtur, unë, Sadiku apo Çikalleshi, ka bërë maksimumin, ka dhënë më të mirën në çdo ndeshje.

Ndoshta sot në pjesën e dytë ndeshja ndryshoi se u aktivizuan Roshi dhe Çikalleshi, apo nga zhvendosja më lart që krijuam raste të rrezikshme dhe mbajtëm Bosnjën në zonën e saj. Dihet që sa më shumë forca para, për ne sulmuesit është më mirë, se kemi më shumë pika mbështetjeje. Zgjedhjet e trajnerit De Biasi janë të ndryshme dhe është ai që vendos”.

“Normalisht, jo vetëm në ndeshjet në Kombëtaren por edhe në paraqitjet me klubin, në 20 ndeshje që janë luajtur në Rusi, kam qenë titullar. E kam kërkuar fanellën e titullarit në Kombëtare, gjithkush e ëndërronte të kishte minuta ndaj Italisë. Të dhemb, por e thashë që është trajneri De Biasi që vendos dhe mua më mbetet të bëj detyrën dhe të jem në dispozicion”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Bekim Balaj. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.