Barazim me pasoja. Vllaznia me shumë mungesa ndaj vlonjatëve

0
SHPËRNDAJE


Superiorja / Kënaqësia e marrjes së pikës ndaj Partizanit, çka bëri që të mbyllen të gjithë thashethemet e ditëve të fundit, natyrisht që i ka kënaqur të gjithë në Shkodër. Skuadra e tyre tregoi edhe njëherë tjetër se, përveçse po respekton deri në fund kampionatin, po lufton fort për të arritur objektivin e saj, që është vendi i katërt në renditje. Për momentin e ka arritur, por tashmë është e vështira, për ta mbajtur atë deri në fund. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Vllaznia, në ndeshjen e radhës, në Vlorë, ndaj Flamurtarit, do të ketë sërish mungesa. Barazimi ndaj të kuqve dhe loja e fortë e zhvilluar ndaj kësaj skuadre ka bërë që dy prej lojtarëve titullarë të formacionit shkodran, pikërisht kapiteni Ndriçim Shtubina dhe mbrojtësi Denis Pjeshka, të ndëshkohen me kartonë të verdhë.

Ata kanë qenë të tretët për secilin prej tyre dhe për rrjedhojë do të jenë të skualifikuar për në takimin e radhës. Padyshim që këto nuk janë lajme aspak të mira për trajnerin Cungu, megjithatë tashmë ai është mësuar me këto vështirësi. Edhe në takimin ndaj Partizanit nuk ka patur në dispozicion plot 5 lojtarë të formacionit bazë, por ia doli të marrë pikë. Këtë gjë do të tentojnë kuqeblutë edhe këtë javë. Lajme të mira janë rikthimet, pas skualifikimit, të Bakaj e Vrapit, po ashtu do të shihet mundësia nëse do të rikuperohen edhe dy mesfushorët, Krymi e Bardulla, që kanë qenë të dëmtuar. Pavarësisht këtyre problemeve, objektivi i Vllaznisë edhe ndaj Flamurtarit është i qartë: marrja e pikëve.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.