Barcelona-Juventus, a do të përsëritet mrekullia në “Camp Nou”?

0
SHPËRNDAJE
loading...


Champions League / Nëse Barcelona dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve, duhet të shtojë kuotën e mrekullive. Pas përmbysjes historike 6-1 ndaj PSG-së, duket se nuk mund të ketë më asgjë të jashtëzakonshme për skuadrën katalanase. Megjithatë, disfata 3-0 e së mërkurës së kaluar ndaj një ekipi të tillë si Juventus duket edhe më e komplikuar se sa mund të mendohet.
“Camp Nou” ka rastin sonte, ora 20:45, për të dëshmuar magjinë e dytë radhazi në Champions. Luis Enrique dhe Massimiliano Allegri gjenden para një lufte taktike, një beteje që do të duhet ta zhvillojnë lojtarët e tyre në fushë. Për “Lucho”, risia mund të jetë Jordi Alba, një lojtar që ka humbur rëndësi në javët e fundit, por është kthyer dhe është gati të vërë në shërbim të skuadrës shpejtësinë e tij. Në këtë rast, sistemi do të jetë 4-3-3 dhe një qendror do të sakrifikohej.

Ndoshta Mascherano, apo Umtiti, që po shërohet nga lëndimi. Sergi Roberto do të jetë më i avancuar. Rikthehet ai që peshoi shumë me mungesën e tij në Torino, Sergio Busquets. Dhe sigurisht, “tridenti” është një domosdoshmëri për të besuar te shënimi i golave dhe përmbysja. MSN do të udhëhiqet nga Leo Messi, që do të kërkojë golin e tij të 500-të në ndeshje zyrtare me katalanasit. Përballë Barçës do të jetë mbrojtja më e mirë e Champions-it. Ky repart, por jo vetëm, e ka shndërruar Juventusin në një kundërshtar tepër të vështirë e të frikshëm. Bardhezinjtë nuk mund të krahasohen me parizienët. Kanë pësuar vetëm dy gola në 9 ndeshje të Ligës së Kampioneve për këtë edicion, më pak se gjysma e atyre që ka nevojë Barça për të kapërcyer në gjysmëfinale. Janë disa, kartat me të cilat Massimiliano Allegri do të operojë në “Camp Nou”.

Trajneri nga Livorno ka mundësinë e paraqitjes së të njëjtit formacion, që i dha rezultat mbresëlënës në ndeshjen e parë, ose të ngrejë një mbrojtje me pesë lojtarë, çka do të interpretohej si shenjë dobësie. Nëse aktivizohet edhe Barzagli, që të shoqërojë Bonucci dhe Chiellini, i sakrifikuar mund të jetë Cuadrado dhe Mandzukic. Loja e bardhezinjve do të jetë e ndërtuar rreth Paulo Dybala. “La Joya” e ndëshkoi dy herë Barcelonën në Torino, ndërkohë që është shëruar nga problemi në kyçin e këmbës. Champions-i rikthehet në “Camp Nou” 42 ditë pas mrekullisë kundër PSG-së. Këtë të mërkurë, “nëna e të gjitha përmbysjeve”, Barcelona, do të ketë një mision: të asgjësojë Juven. Me të gjithë artilerinë e mundshme…

S'KA KOMENTE

Comments are closed.