Barcelona nuk e ndjen largimin e Nejmarit sa të ketë “jashtëtokësorin”

0
SHPËRNDAJE

La Liga/ Nejmar i larguar, Suarez i munguar, Dembele i dëmtuar. Lionel Mesi? Gjithnjë i gatshëm në apel, pa asnjë pushim mes të shtunave a të dielave, dhe të martave apo të mërkurave. Edhe pse mbiquhet “pleshti”, argjentinasi është një “top i madh energjie” që ndriçon futbollin botëror, ashtu si Dielli ndriçon Sistemin tonë Planetar. Katër gola në portën e Eibarit nuk do të merrnin një vlerë më të madhe sesa një statistikë, nëse nuk do të ishin thjesht vazhdimësia e një sezoni që premton rekorde.

Mesi ka arritur në 9 gola në vetëm 5 ndeshje të La Ligës, duke shënuar më shumë se gjysmën e rrjetave të Barcelonës (17), që mbetet me pikë të plota 15, me 5 fitore në 5 ndeshje. “Këpuca e Artë” e kampionatit duket se do të jetë e tija, përveçse në rast të ndonjë mrekullie të jashtëzakonshme të Kristiano Ronaldos, por tek Barça duan së pari trofetë, titullin kampion dhe Championsin mbi të gjitha.

Sa kohë që Mesi të jetë në fushë, gjithçka mund të ndodhë, mjafton që shëndeti të jetë “top”. Me largimin e Nejmarit, Leo ka gjetur një hapësirë dhe një lirshmëri veprimi si kurrë më parë, sepse dikur ishin Ksavi dhe Iniesta, ndërsa deri dje, në krah ishte braziliani super i talentuar. Sot Barça është thjesht skuadra e Mesit, njëlloj siç ishte Napoli apo Argjentina e Maradonës. Me një “hero të tillë kombëtar”, lojtarët e tjerë ndihen më të sigurt dhe më të bashkuar, ndaj edhe formacioni i trajnerit Ernesto Valverde është më i rrezikshëm se kurrë. Për më tepër, në këtë histori, duhet llogaritur “një farë” Paulinjo, që po shkëlqen ashtu siç nuk ishte menduar.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.