Belisha: Vllaznisë i duhet një president

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Superiorja / Sezoni i fundit i Vllaznisë nuk mund të konsiderohet negative, pavarësisht se deri në fund ishte në rrezik edhe për rënien nga Superliga. I këtij mendimi është ish- futbollisti i kësaj skuadre, Amarildo Belisha. Sipas tij, gjërat deri pak javë para fundit të kampionatit kanë qenë “ok”, por më pas diçka ndodhi dhe puna shkoi deri aty sa ekipi t’i jepte edhe lamtumirën Kategorisë Superiore. “Skuadra e sivjetme duhej ta kishte mbyllur kampionatin në vendin e katërt. Nuk ndodhi kështu për shumë arsye, por më së shumti do të mendoja për papërgjeshmëri të disa futbollistëve që nuk e vlerësuan maksimalisht çdo ndeshje të mbetur deri në fund. Rasti i Bakajt që nuk pranoi të luante në ndeshjen e fundit, apo ai i Cicmil, që shpeshherë bënte “show” në fushë, vetëm për t’u rënë në sy tifozëve, janë disa tregues që tregojnë se mungesa e një presidenti ka ndikimin e vet tek rezultatet.

Djemtë e rinj shkodranë e treguan veten në ndeshjen e fundit, megjithatë nuk mund të thuhet se Vllaznia duhet bërë vetëm me shkodranë. Sot është ndryshe në të gjithë botën dhe duhet t’i përshtatemi, por është favor që të paktën baza e ekipit është me futbollistë të dalë nga akademia”, – ka thënë ai. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me të ardhmen e kuqebluve, sesi i mendon në sezonin e ri, Belisha shton: “E rëndësishme është që drejtuesit të ulen e të bisedojnë sa më parë. Në bazë të buxhetit që bashkia do të caktojë, do të vihen edhe objektivat. Për mua nuk duhet humbur më kohë me këtë mënyrë menaxhimi. Duhet gjetur mënyra dhe mundësia për t’ia dhënë një privati. Ju siguroj se me ardhjen e një biznesmeni në krye të skuadrës gjërat do të jenë krejt ndryshe dhe nuk do të qëndrojmë deri në fund me ankthin e rënies apo jo nga kategoria”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.