Beslidhja kërkesë FSHF-së: Duam arbitra të huaj ndaj Kamzës

0
SHPËRNDAJE


Besëlidhja, nën drejtimin e trajnerit Alban Bruka, vijon stërvitjen në kuadër të derbit ndaj Shënkollit, takimi i fundit përpara finales në Kamzë. Ajo sfidë do të vendosë se cila prej dy ekipeve do të ngjitet në Superiore, në një kohë që lezhjanëve u duhet vetëm fitorja. Dhe për këtë takim, Besëlidhja kërkon gjyqtarë të huaj. Në një prononcim për gazetën, presidenti Gjok Noka u shpreh: “Deri tani, ndeshjet decizive janë gjykuar në mënyrë skandaloze, gjë që është vërtetuar me zë e figurë, pavarësisht thirrjes së presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për gjyqtarët abuzues. Nën presidencën time, Besëlidhja disa herë është penalizuar rëndë nga gjyqtarët, e fundit ishte ajo ndaj Tiranës që tashmë e kemi bërë të ditur.

Duke e ditur se në sfidën e fundit ndaj Kamzës, që nga këtu del edhe skuadra që sezonin e ardhshëm do t’i bashkohet Superiores, për të shmangur padrejtësinë që të penalizojnë nga ky objektiv, kërkojmë që ajo sfidë të gjykohet nga arbitra të huaj. Ne duam që në Superiore të ngjitet ajo skuadër që me të vërtetë e meriton, pra le të dalë nga përballja në arenën e blertë dhe jo nga bilbili i gjyqtarit”, tha presidenti Gjok Noka.

Edhe drejtuesit e tjerë të klubit, po ashtu edhe vetë futbollistët, e mbështesin unanimisht këtë kërkesë të presidentit, pasi vetëm një gjykim i paanshëm që vetëm gjyqtarët e huaj e bëjnë do t’i jepte hakun që e meritojnë secilës skuadër. Për Besëlidhjen, gjatë këtyre nëntë sezoneve që luan në Kategorinë e Parë, të paktën katër herë ka dështuar vetëm në sfidën e fundit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.