Besnik Hasi tek gjigandët grekë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Besnik Hasi për stolin e Olympiakos. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kampionëve të Greqisë, me zyrtarizimin që pritet të bëhet prej kësaj të hëne.

45-vjeçari i lindur në Gjakovë është përfolur prej disa javësh si alternativë për të drejtuar ekipin nga Pireu, por në orët e fundit gjithçka është konkretizuar dhe firma në kontratë duket vetëm çështje orësh.

Hasi ka marrë “bekimin” e klubit dhe këtë e konfirmon fakti se të shtunën e kaluar ai ndoqi finalen e Champions në Cardiff përkrah drejtorit sportiv të Olympiakos, Ousigios. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka fituar garën me rumunin Razvan Luçesku që sezonin e kaluar drejtoi grekët e Ksanthit dhe portugezin Pedro Martins, që drejton Vitoria Guimaraesh.

Olympiakos pritet të jetë ekipi i tretë për Besnik Hasin, pas Anderlecht-it dhe aventurës së pafat te Legia Varshavë. Emërimi në stolin e ekipit nga Pireu do të jetë një hap i madh në karrierën e trajnerit, edhe për faktin se bëhet fjalë për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.

Këtë sezon Olympiakosi fitoi titullin e 44-rt kampion, trofeu i shtatë radhazi në Greqi. Dominimi i klubit nga Pireu në futbollin grek është i padiskutueshëm, me skuadrën që ka fituar 19 kampionate në 21 vitet e fundit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.