Bicaj: Bëmë lojë të mirë, por disa episode me protagonist gjyqtarin Jorgji po vendosin

0
SHPËRNDAJE

Mbrojtësi i Vllaznisë, Ditmar Bicaj, pas ndeshjes me Teutën, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Egi Duro, u shpreh se shkodranët bënë një lojë të mirë, por disa episode me protagonist gjyqtarin Enea Jorgji po vendosin.

“Në pjesën e parë bëmë lojë të mirë, në të dytën Teuta u hodh në sulm për të kërkuar golin. Megjithatë, këto episodet po vendosin si shpesh dhe gjithmonë protagonist po bëhet gjyqtari Enea Jorgji.

Për të kam shumë respekt, por është bërë ndeshja e tretë që jep penallti në dëm të Vllaznisë. Edhe sot kur u rreshtuam para fillimit të lojës, i thashë: ‘Prapë ti?!’.

Filloi të qeshte. ‘Shpresoj të mos japësh penallti’, i thashë.

Ja që e dha. Nuk e di pse pikërisht ky gjyqtar po dëmton ekipin tonë.

Jam shumë i habitur dhe të gjithë lojtarët ishin shumë të nervozuar pas ndeshjes.

Që të jem korrekt, se kam qenë edhe afër, rasti mes mesufshorit Progni dhe mbrojtësit Pjeshka edhe mund të jepej penallti. Por ajo e sulmuesit Ribaj me portierin Agoviç është qesharake, vetëm penallti nuk mund të jetë.

Ky moment e ktheu ndeshjen. Nuk dua të futem fare te goli i dytë, ku lojtari i Teutës e mori topin me dorë.

Sërish është Jorgji ai që e vendosi fatin e ndeshjes, si me Partizanin po ashtu edhe me Skënderbeun në “Loro Boriçi”, ku sërish dha një penallti shumë qesharake”.

“Nuk e shoh ambientin dashakeqës, përkundrazi, Vllaznia ka marrë aq sa ka merituar. Por, po të ishin të drejta vendimet e arbitrave, do të kishim katër ose pesë pikë më shumë.

Isha shumë i bindur që sot do të kualifikoheshim, por jam shumë i bindur edhe kur them takimin e vendosi ajo penallti. Kjo bëri që ekipi të kalonte në aventurë dhe pësuam edhe golin e dytë.

Jam shumë i mërzitur për këtë”.

“Me një fitore mund të shkosh në vend të katërt, sikurse me një humbje mund të zbresësh i parafundit. Duke filluar nga Luftëtari dhe Tirana dhe deri te Teuta, gara është shumë e ashpër.

Çdo javë është luftë dhe duhet të jemi të përqendruar, por shpresojmë që këto vendime të gjyqtarëve të jenë sa më të pakta”.

“Do të doja të luaja me Vllazninë në gjysmëfinale kundër skuadrës së qytetit tim të lindjes. Më bëhet shumë qejfi për Besëlidhjen që po rikthehet aty ku i takon, sepse ka nxjerrë gjithnjë futbollistë shumë të mirë.

I uroj suksese, pse jo, të ngrejë edhe trofeun”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Vllaznisë, Ditmar Bicaj. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.