Bicaj: Objektivi ynë mbetet Kupa e Shqipërisë

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Mbrojtësi i Vllaznisë, Ditmar Bicaj, ka zbuluar se kuqeblutë kanë si objektiv parësor në këtë sezon Kupën e Shqipërisë. Shkodranët, të bindur se në kampionat nuk rrezikojnë rënien, por edhe se nuk kanë forca të luftojnë me ekipet për zonën e Europës, mendojnë se mund ta arrijnë atë nëpërmjet turneut të dytë për nga rëndësia në vendin tonë.

“Kupa është ndër objektivat e Vllaznisë dhe duhet marrë seriozisht nga të gjithë. Nga stafi na është bërë kërkesë që Kupa të jetë parësore. Në këtë sezon, të përpiqemi të realizojmë objektivin që kemi, të shkojmë deri në finale”, tha sot mbrojtësi i kuqebluve, Ditmar Bicaj.

Sipas tij, përballjet me Teutën janë shumë delikate dhe skuadra duhet të tregohet e kujdesshme, ndoshta edhe të kënaqet me një fitore minimale. “Kupa ka specifikë tjetër se janë dy ndeshje, duhet të kemi përqendrim maksimal në ndeshjen e parë që luajmë në shtëpi. E rëndësishme është të mos pësojmë gol dhe besoj se fitorja 1-0 do të ishte rezultat i kënaqshëm për ne”.

Përforcimi kryesor i Vllaznisë për pjesën e dytë të sezonit është fantazisti Elis Bakaj. “Njihen vlerat e Bakajt, jemi shumë të kënaqur me afrimin e tij te Vllaznia. Shpresoj që ai të japë 100%., është afrim i goditur dhe që nesër ndaj Teutës shpresoj të jetë në maksimum. Megjithatë, Vllaznia luan në grup dhe ka treguar se gjithmonë luan për fitore, pavarësisht kush është në fushë. Futbolli është aty-aty në Shqipëri, nuk ka ekip shumë të fortë dhe shumë të dobët”, deklaroi Bicaj.

Ai paralajmëroi edhe ish-skuadrën e tij, Partizanin, të cilën do ta ketë kundërshtare në fundjavë. “Jemi kocke e fortë për ta, ata nuk e kanë të lehtë me ne. Do të ikim për pikë në Tiranë, pa asnjë frikë”, ishin fjalët e mbrojtësit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.