Blazo Rajoviç mbyll sezonin, mbrojtësi këput ligamentin

0
SHPËRNDAJE

Gentian Selmani (majtas) dhe Blazo Rajoviç (djathtas)
Gentian Selmani (majtas) dhe Blazo Rajoviç (djathtas)

Ende pa nisur mirë faza e tretë e kampionatit, kanë filluar problemet te skuadra e Laçit. Një prej lojtarëve që ka ardhur me shumë bujë në ekip, Blazo Rajoviç, është aktivizuar në ndeshjen e parë ndaj Korabit, të cilën kurbinasit e fituan minimalisht duke bërë një paraqitje të mirë.

Por, pas ndeshjes, lojtari, i cili ka luajtur me disa skuadra në Superiore, si Flamurtari dhe Vllaznia, ka ndier dhimbje në gju dhe ka kërkuar ndihmën e mjekëve. Këta të fundit, pas analizave që i kanë bërë, kanë konstatuar se lojtari ka këputur ligamentin dhe nuk do të jetë në fushë për një kohë të gjatë.

Madje, mund të thuhet se futbollisti e ka mbyllur këtë sezon futbollistik, duke qenë se tashmë i duhet të bëjë një operacion. Një lajm i tillë nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e Laçit, pasi futbollisti pritej që të mbante një peshë të madhe në mbrojtjen e kurbinasve për vetë eksperiencën që kishte.

Trajneri Bledar Sinella, në dy fazat e mbetura të sezonit, duhet të punojë me lojtarët që ka në dispozicion, të cilët janë në rinj në moshë, siç janë Harallamb Qaqi, Eglentin Gjoni, Denis Biba apo edhe Abdurraman Fangaj.

Blazo Rajoviç mund të konsiderohet si lojtar i pafat, pasi edhe kur ka qenë pjesë e Flamurtarit apo e Vllaznisë, ka pësuar dëmtime të rënda, të cilët e kanë lënë jashtë për një kohë të gjatë. /minuta90.com/

Blazo Rajoviç, me menaxherin e tij, Agron Isufi, i cili ishte ndërmjetësi që malazezi të firmoste te Laçi
Blazo Rajoviç, me menaxherin e tij, Agron Isufi, i cili ishte ndërmjetësi që malazezi të firmoste te Laçi

S'KA KOMENTE

Comments are closed.