Blindohet Elbasani, 2500 policë në stadium për Shqipëri-Izrael

0
SHPËRNDAJE

auto_823e97b3284be78bce4ef61a3c056127_l1441644357Rreth 2500 forca policore do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Izrael, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në “Elbasan Arena”.

Stadiumi është marrë në dorëzim nga Policia prej dy ditësh, ndërsa në hyrje të tijë ushtrohen kontrolle ndaj çdo personi që shkel impiantin, qoftë edhe punëtorë apo punonjës të federatës.

Mësohet se inspektime të vazhdueshme në “Elbasan Arena” janë zhvilluar prej ditësh edhe nga një grup i huaj, i cili konfimohet nga burime të sigurta të minuta90.com pranë Policisë, se i perket shërbimeve inteligjente izraelite.

Nga ana tjetër Policia ka marrë në ruajtje dhe hotelin ku do të qëndrojë ekipi kombëtar izraelit, i cili pritet ka mbërritur pasditen e kësaj të enjteje në Aeroportin e Rinasit. Shoqërimi dhe ruajtja e tyre iu ngarkua forcave speciale RENEA, ndërsa në gatishmëri ishte edhe FNSH.

Ndërkohë ditën e ndeshjes, mësohet se policia do të ngrejë një perimetër sigurie rreth stadiumit, ku do të ushtrohen disa kontrolle për të mos lejuar futjen e fishekzjarrëve, banderolave dhe sendeve të tjera të paligjshme.

Pallatet pranë stadiumit priten të boshatishen gjatë zhvillimit të takimit, ndërsa të gjitha lokalet rreth tij do të mbyllen. Burime të sigurta të minuta90.com nga Policia pohojnë se niveli i masave të sigurisë për këtë ndeshje i kalon edhe ato të marra për ndeshjen ndaj Serbisë.

Në planin e masave është përfshirë edhe SHISH, ku shumë agjentë civilë do të jenë në lëvizje para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të vlefshëm për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Këto masa të jashtëzakonshme sigurie u ndërmorën pas arrestimit të katër personave pak ditë më parë në Shqipëri.

Mossad, Agjencia Sekrete e Shtetit Izraelit dispononte informacione për vendosje të lëndeve eksplozive në stadium dhe ndërhyri pak ditë përpara zhvillimit të ndeshjes. Agjentë të saj janë marrë në Shqiperi në terren me çështjen, e cila konsiderohet “top secret”.

Informacioni mbi këtë çështje dhe grupit në Shqipëri që do të merrte përsipër hedhjen në erë të stadiumit, disponohet nga një numër i kufizuar personash. Informacionet janë konsideruar nga burimet si tejet serioze, ndaj masat që do të merren në zhvillimin e ndeshjes janë masat më të rrepta të sigurisë. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.