Boks Speciale/ 42 vjet nga përballja Muhamed Ali dhe Xho Frejzer

0
SHPËRNDAJE

BOKS/ Dyzetë e dy vite më parë, është zhvilluar ndeshja që historia e mban mend si “Thriler në Manila”, ndeshja e tretë dhe e fundit mes gjigantëve të boksit profesionist në pëshën e rëndë, Muhamed Ali dhe Xho Frejzer. Këtë ndeshje, specialistët më të mëdhenj të boksit e konsiderojnë si dyluftimin më të mirë ose më të fortë, merreni si të doni, të të gjitha kohërave, si edhe si një nga evenimentet sportivë më të mëdhenj të shek. të 20-të.

Bota e sportit kurrë nuk do ta harrojë 1 tetorin e vitit 1975, kur u zhvillua ajo ndeshje që la pa frymë mbi 700 milionë shikues në të gjithë botën. Historia e rivalitetit mes këtyre dy legjendave të boksit filloi në mars 1971, kur Xho Frejzer ose Smoking Xho (Xho duhanxhiu), në “Medison Skuer garden”, i shkaktoi humbjen e parë në karrierë Muhamed Aliut, një humbje që “I madhi” nuk mund ta përtypte dot, kështu që priti tre vite që, më në fund, të hakmerrej më 1974. Duke pasur parasysh se ty boksierët kishin nga një fitore dhe një humbje, ndeshja e tretë ishte e pashmangshme dhe duhet të nxirrte fituesin përfundimtar. Dhe ai u bë Muhamed Aliu, por shumë më e madhe sesa fitorja ishte beteja në ring, tabloja përfundimtare dhe vlerësimi që iu bë kësaj ndeshjeje që, atë natë të 1 tetorit 1975, në ringun e Manilës, hyri në pavdekësi!

Muhamed Ali dhe Xho Frejzer dueli

Aliu fitoi, kur mes raundeve të 14-t dhe të 15-të, trajneri i Frejzerit, Edi Fuç, vendosi që ta ndërpriste ndeshjen, duke hedhur në ring peshqirin, pasi ajo, gradualisht, po shndërrohej në një “luftë për jetë ose vdekje!” Sigurisht që Smoking Xho nuk e pranoi vendimin e trajnerit të tij për ta ndërprerë ndeshjen, por Edi Fuç u përpoq që ta qetësonte Frejzerin me fjalët:

“Mbaroi, nuk vazhdohet më. Askush në botë nuk do ta harrojë më atë që, ti, ke bërë sot!” Dhe Fuçi kishte të drejtë dhe, si një konfirmim suplementar i kësaj beteje epike, ishin fjalët e Muhamed Aliut që i përshkroi më së miri mundimet që ai kishte hequr në atë ndeshje: “Kurrë më parë, unë nuk kam qenë kaq pranë vdekjes”, tha, atëkohë, ky luftëtar i madh që, sot e kësaj dite, konsiderohet si boksieri më i madh i të gjithë kohërave në historinë e boksit botëror.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU