Boyom: Duam fitore që të përurojmë stadiumin e ri

0
SHPËRNDAJE

Edy-Nicolas Boyom, qendërmbrojtësi kamerunas, është një ndër pikat e forta të Luftëtarit, i cili ka folur për SuperSport në lidhje me ndeshjen e së shtunës me Partizanin.

“Kjo është ndeshja e parë që ne luajmë në shtëpinë tonë. Partizani është një ekip shumë i mirë, ata janë një nga skuadrat më të forta këtu në Shqipëri, por ne luajmë në fushën tonë dhe duam ta fitojmë këtë ndeshje, për t’u ngjitur sa më lart në tabelën e klasifikimit”.

Boyom nuk mund të mos kujtojë atë penallti në Elbasan qendërmbrojtësi, që kërkon të fitojë për tifozët ndaj “demave”.

“Sigurisht që u kujtoj ndeshjen e parë ndaj Partizanit, pasi në atë sfidë bëra debutimin tim në kampionatin shqiptar. Ne e luajtëm mirë atë ndeshje, por unë u ndëshkova me karton të kuq në minutat e fundit dhe ata arritën të fitonin. Partizani është një ekip i mirë por e përsëris ne duam të kënaqim tifozët tanë me një fitore ndaj tyre. A mund ta fitojë Partizani titullin? Të them të drejtën nuk e di pasi në këtë sezon janë disa skuadra të forta, si Skënderbeu, Partizani por edhe Kukësi dhe Tirana”.

Mbrojtësi flet për skuadrën e tij, si dhe për Kategorinë Superiore që për të është e një niveli të lartë.

“Ne jemi një skuadër e re, jemi një ekip i formuar së fundmi dhe ky është sezoni ynë i parë në Kategorinë Superiore. Ne do të provojmë të fitojmë ndeshjet që do të luajmë në shtëpinë tonë ndërsa në sfidat në transfertë kemi si objektiv kryesor të grumbullojmë sa më shumë pikë. Në Shqipëri luhet një kampionat shumë i fortë, këtu ka skuadra shumë të mira. Përpara se të bëhesha pjesë e Luftëtarit unë nuk e njihja kampionatin shqiptar, por pasi mbërrita këtu e kuptova që niveli i futbollit që luhet në vendin tuaj është shumë i mirë”.

Në fund kamerunasi Boyom tregon objektivat e tij personalë në këtë aventurë si dhe ato të skuadrës.

“Sigurisht, dëshira ime është të jem një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit shqiptar, gjithsesi parësore për mua është të luaj mirë dhe të ndihmoj skuadrën të fitojë sa më shumë ndeshje që në fund të sigurojmë qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Luftëtarit, Edy-Nicolas Boyom. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.