Bregu: Kjo fitore vlen shumë në aspektin moral, vendi i 4-t për Luftëtarin do të thotë shumë

0
SHPËRNDAJE

Mesfushori i Luftëtarit, Dejvi Bregu, pas ndeshjes me Korabin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Erald Kodheli, u shpreh se kjo fitore vlen shumë në aspektin moral, ndërsa theksoi se vendi i 4-t për Luftëtarin do të thotë shumë.

“Kjo fitore do të thotë shumë në aspektin moral. E vlerësuam këtë takim, sidomos pas asaj humbjeje ndaj Flamurtarit në Vlorë javën e kaluar, të cilën nuk e meritonim.

Një vend i 4-t në renditje për Luftëtarin do të thotë shumë, por e meritojmë. Në pjesën e parë nuk i zgjidhëm mirë disa episode, por në fraksionin e dytë të takimit, trajneri Mladen Milinkoviç na karikoi shumë duke hyrë në fushë me më shumë dëshirë për ta fituar sfidën kundër Korabit.

Luftëtari ka shumë uri dhe dëshirë, sepse të gjithë lojtarët e skuadrës tonë kërkojnë të nderojnë këtë ekip dhe të bëjnë krenarë tifozët e Gjirokastrës. 

E ardhmja? Për momentin jam i lumtur te Luftëtari. Në verë do të flas me presidentin Grigor Tavo dhe do të vendosim të dy se çfarë do të bëjmë.

Për sa i përket ndeshjes kundër Skënderbeut, nuk do të jetë çudi sikur të marrim një rezultat pozitiv. E kemi treguar se luajmë shumë mirë në çdo stadium të Shqipërisë, që nga Shkodra deri në Vlorë.

Unë te Skënderbeu në të ardhmen? Eh, kjo është një pyetje që më vendos pak në pozitë të vështirë, por duhet të shpreh interes Skënderbeu nëse kërkon një lojtar me cilësitë e mia, por gjithashtu i takon Luftëtarit të vendosë.

Flamurtari? Unë jam krijuar dhe kam luajtur për atë ekip dhe unë atje ku kam ngrënë nuk pështyj. E respektoj si ekip dhe tifozët vlonjatë kanë gjithashtu respekt për mua”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Luftëtarit, Dejvi Bregu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.