Bruno Aquino thyen Vllazninë, fitore shprese për Laçin

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Laçi merr fitoren e tretë në kampionat dhe këtë e bën duke mposhtur Vllazninë. Bardhezinjtë triumfuan 1-0 në shtëpi në duelin e javës së 16-të të Kategorisë Superiore.

Duelin e vendosi një gol i Bruno Aquino një minutë para pushimit mes pjesëve. Sulmuesi ndëshkoi shkodranët të cilët në aksionin paraardhës pretenduan për një penallti.

Shkodranët rrezikuan me kapitenin Shtubina, por është Aquino ai që zhbllokon sfidën për Laçin.

Në te dytën është Shala që rrezikon për Laçin, ndërsa Shtubina ka mundësinë të shënojë sërish me kapitenin Shtubina dhe sulmuesin Pepa, ndërkohë që për 20 minuta Vllaznia luajti me një lojtar më pak, ndërsa Laçi ruajti deri në fund avantazhin.

Takimi nis i qetë, ndërsa në të 8-tën, sinjalin e parë e japin vendasit me sulmuesin Bruno Aquino. Braziliani provon me të djathtën nga hyrja e zonës, por gjuajtja e tij tokazi shkon ngjitur me shtyllën e djathtë të portës shkodrane.

Pas 6 minutash, Vllaznia shfaqet me të riun Uendi Vecaj, mirëpo tentativa e mesfushorit nga larg është krejtësisht për t’u harruar.

As 60 sekonda nuk mbushen plotësisht, dhe Laçi shfaqet rrezikshëm, fillimisht me sulmuesin Aquino dhe më pas me një goditje të mesfushorit Lushkja që përfundon mbi tra.

Në të 19-tën, Ndriçim Shtubina provon të majtën nga kufijtë e zonës, por është i pasaktë, por gjuajtja e kapitenit del jashtë.

Mundësitë janë të njëpasnjëshme për Vllazninë.

Në rastin e parë, në të 20-tën, pasiguri e mbrojtjes vendase, por sulmuesit e Vllaznisë nuk përfitojnë dot pasi portieri Selmani del me shpejtësi dhe kontrollon topin.

Ndërsa, në rastin e dytë, pas 1 minute, një tjetër mundësi e mirë për shkodranët që të rrezikojnë me një kundërsulm 4 kundër 3, por Shtubina gabon në pasim duke e nxjerrë topin në anësore.

Kur po kronometrohej e 28-ta, tjetër mundësi e mirë për Vllazninë, që po hedh vazhdimisht sytë në portën laçiane në këto minuta. Shtubina devijon me kokë pas një topi të ardhur në zonë nga e majta, por goditja e lehtë nuk gjen kuadratin e portës.

Bruno Aquino del mirë përpara, por zgjedh gjuajtjen dhe gabon. Ndërkohë, që Regi Lushkja ishte i lirë dhe sulmuesi kishte mundësinë të pasonte.

Në të 37-tën, Eglentin Gjoni kërcen mbi të gjithë duke gjetur i pari topin pas një krosimi nga loja e ndaluar, megjithatë goditja me kokë e qendërmbrojtësit të Laçit del jashtë.

Në fundin e pjesës së parë, pikërisht në të 44-tën, Laçi kalon në epërsi. Pas protestave të Vllaznisë për një penallti, Bruno Aquino finalizon një zbritje të shpejtë duke kaluar vendasit në avantazh.

E para mbyllet këtu, ndërsa pjesa e dytë nis me të njëjtët lojtarë që e nisën të parën.

Në të 52-tën, Gjoni shfaqet përsëri i rrezikshëm me një goditje me kokë, e cila, për fatin e mirë të Vllaznisë, prek vetëm rrjetën e jashtme.

Por pas 2 minutash, sërish Eglentin Gjoni që shënon me kokë, por është dukshëm në pozicion jashtë loje. Goli nuk vlen.

Eshtë minuta e 59-të dhe Ndriçim Shtubina që tenton me të majtën, por topi shkon jashtë.

Laçi edhe pse kërkon të administrojë rezultatin sheh edhe nga porta e Vllaznisë. Pikërisht në të 61-tën, Alked Çelhaka hedh një top nga e majta, i cili devijohet në korne nga Bicaj, para se goditja të bëhej i rrezikshëm për portierin Agoviç.

Në zhvillimet e kësaj goditjeje këndi, autori i golit, Bruno Aquino, devijon me kokë një top, por braziliani është i pasaktë.

Kur po luhej e 69-ta, telashe për Vllazninë. Stefan Cicmil ndal me faull sulmuesin Bruno Aquino në të majtë të mesfushës dhe gjyqtari Klajdi Kola nuk e fal. Karton i kuq direkt për qendërmbrojtësin dhe shkodranët tani do të luajnë me tre mbrojtës.

Kuqeblutë edhe pse me 10 lojtarë nuk qëndrojnë prapa në mbrojtje dhe në të 75-tën, Alsid Tafili ka një mundësi të mirë, por nuk tregohet i saktë brenda zone duke e dërguar topin mbi katërkëndëshin e Laçit.

4 minuta para fundit, Brunild Pepa çon dëm rastin e artë për të barazuar. Gjuajtja e sulmuesit kuqeblu nga brenda zonës shkon ngjitur me shtyllën.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me fitoren e Laçit, një fitore jetike kjo për kurbinasit. Ndërkaq, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu, pas humbjes me Luftëtarin, regjistrojnë humbjen e dytë edhe sot.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë me Laçin, ndërsa edhe Vllaznia luan në transfertë me Teutën. /minuta90.com/

Laçi-Vllaznia 1-0

Goli: Aquino 44’

Laçi (4-4-1-1): Selmani, Lulaj, Qaqi, Gjoni, Shala, Musaj, Lipi, Lushkja, Alechenwu, Çelhaka, Aquino (në dispozicion: Vata, Biba, Fangaj, Toska, Kastrati, Popaj, Hyseni) Tr: Ramadan Ndreu

Vllaznia (4-3-3): Agoviç, Pjeshka, Cicmil, Bicaj, Vrapi, Tafili, Krymi, Bardulla, Vecaj, Shtubina, Pepa (në dispozicion: Selimaj, Gocaj, Kapaklija, Kruja, Çinari, Dyca, Hebaj) Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Ergin Doda, Denis Agaraj, Olsi Sokoli

Kartonë të verdhë: Lipi 88’

Kartonë të kuq: Cicmil 69’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.