Cana: “Të mësojmë nga humbja, tifozët na bënë krenarë”

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ Një kapiten, mbetet gjithmonë një kapiten madje dhe pas ndeshjes kur nevojitet mbi të gjitha qetësi për të analizuar një sfidë si ajo me Austrinë, ku Shqipëria toleroi shumë në 30 minutat e para. Për numrin 5 të kuqezinjve, Lorik Cana, Shqipëria për disa arsye që ai i shpjegon në një intervistë ekskluzive për Supersport skuadra pësoi disa gola të pazakontë për mbrojtjen tonë.

Lorik Cana në ndeshjen ndaj Austrisë
Lorik Cana në ndeshjen ndaj Austrisë

”Ata e nisën ndeshjen me një ritëm shumë të lartë dhe nuk arritëm tu përgjigjeshim ashtu sic duhet për shumë arsye besoj. Fakti që kishim disa muaj pa luajtur me njëri-tjetrin ndikoi sepse nuk arritëm të jepnim përgjigjet e duhura në fushë. Në minutat e para ne treguam një nivel shumë të dobët dhe Austria kishte bënte cdo gjë që dëshironte në fushë, pasi ne ishim të pozicionuar keq dhe u lejuam shumë hapësira. Fatëkeqësisht pësuam dy gola që kombëtarja jonë në atë mënyrë nuk i pëson. Gjithsesi në pjesën e dytë zbriti në fushë një Shqipëri tjetër, e cila ishte më agresive dhe e rrezikoi më shumë kundërshtarin. Ishte një përgjigje shumë e mirë nga ana e djemëve. Nga kjo ndeshje kemi mësuar shumë gjëra që besoj se do të na ndihmojnë për sfidat e kampionatit europian”.

Gjithsesi për kapitenin, kuqezinjtë nuk kanë pse t’i druhen askujt dhe këtë duhet ta tregojnë dhe nëpërmjet lojës.

” Besoj se kemi një ekip që mund të përballojë cfarëdolloj kundërshtari. Patjetër që cdo skuadër rivale duhet respektuar por ne duhet të hymë gjithmonë në fushë të vetëdijshëm për forcën tonë. Duhet të tregojmë në cdo ndeshje vlerat tona pasi kemi në skuadër lojtarë të fuqishëm dhe shumë të shpejtë përpara.

Në momentin e këndimit të himnit kombëtar të Shqipërisë, zëri i tifozëve kuqezi kumboi fortë në “Ernst Happel” dhe për Canën, mbështetja e fansave tanë dhe në Vjenë ishte dicka e mrekullueshme.

Lorik Cana në aksion kundër Austrisë
Lorik Cana në aksion kundër Austrisë

”E kemi pritur që do ta ne ndiqnin por nuk besonim se do të mbështeteshim nga kaq shumë tifozë në stadium. Në momentin që hymë në stadium dhe që pamë se kishte aq shumë tifozë shqiptarë u ndiemë me të vërtetë krenarë. Për ne është një kënaqësi shumë e madhe te kemi kaq shumë tifozë. Këto muaj do të jenë shumë të rëndësishëm pasi në Francë do të vinë mijra fansa dhe kjo është dicka shumë pozitive”.

Kohët e fundit është folur shumë për një europian pa tifozë, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në Bruksel dhe Paris, por për kapitenin e kuqezinjve futbolli është një dashuri që nuk mund të kuptohet pa praninë e tifozëve në tribuna.

”Futbolli është një sport fantastik. Futbolli është dashuri por mbi të gjitha pasion dhe nuk mund të ketë kuptim pa tifozë në shkallët e stadiumit”. /SuperSport/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.