Canaj: Bylisit i mungoi vetëm goli, keni për ta parë Diakite

0
SHPËRNDAJE

Me pak më shumë saktësi e kujdes në fazën sulmuese, Bylisi mund të dilte me pikë të plota nga sfida përballë Tiranës. Megjithatë, edhe një pikë është më mirë se asgjë. Aq më tepër që është e para në këtë kampionat për ballshiotët. Që është një arritje pozitive e konfirmon edhe trajneri Agim Canaj, i cili shfaqet edhe pak i keqardhur që nuk fitoi: “E filluam keq këtë kampionat, por diçka kemi rregulluar Si në lojtarë, edhe në vendosje. E dinim që Tirana me lojtarë të tillë si Bakaj, Lika e Vucaj do të na rrezikonte. Ua morëm masat dhe në një farë mënyre ia dolëm mbanë për t’i ndaluar. Patëm mundësi të pastra edhe për të shënuar. por ajo që na mungon në 3 ndeshje është goli, që mbetet problem. Ai lojtari gol na mungon dhe jemi përpjekur duke bërë disa zgjedhje, por pa rezultat. Mbase kjo do të jetë një pikë kthese për të arritur rezultatet e plota pozitive. Por po të ishim të kujdesshëm mund ta kishim fituar ndeshjen, vetëm duhet të ishim treguar më konçizë. Megjithëse edhe Tirana kishte rastet e saj”.
gimDiakite me shokë
Tekniku i kënaqet faktit që skuadra e tij po merr formë, ashtu siç e do ai: “Në këtë moment më kënaq fakti që kemi harmonizuar skuadrën, pasi kemi pasur lëvizje të shumta lojtarësh. Ardhja e Diakitesë e të tjerëve, si dhe rikthimet e Shoshit na kanë kompletuar më shumë. Kemi një grup të mirë, me të cilin duke futur edhe një sulmues brazilian Roni, që ende nuk ka arritur formën e duhur ndonëse ka cilësi si sulmues, do të mund të bëjmë gjëra të mira gjatë këtij sezoni. Kemi besim të madh. Afrimet e shumë lojtarëve si Diakite dhe Simiç kanë rritur konkurrencën në mbrojtje, edhe pse ende nuk janë në formën e duhur fizike. Them se ju do të shihni në të ardhmen një Diakite edhe më të fortë. Shoshi duhet të luftojë vendin, ndonëse mund të jetë i vlefshëm edhe si alternativë”, ka sqaruar Canaj. Rregullorja e Kategorisë Superiore përcakton se çdo ekip ka të drejtë të aktivizojë njëkohësisht në fushën e lojës vetëm katër futbollistë të huaj e kjo duket se do të jetë një problem për Bylisin: “Po, kemi 7-8 lojtarë të huaj dhe do ta kem të vështirë të zgjedh për të mos kaluar numrin e të huajve në fushë. Kanë ardhur shumë të huaj, sepse ishte e pamundur të bënim blerje cilësore në merkaton shqiptare. Sidoqoftë, në çdo takim më duhet të bazohem më shumë te futbollistët shqiptarë që kemi në skuadër, të paktën deri në janar. Izuçuku ? Nëse do të jetë pjesë e skuadrës, ende nuk është bërë, do të jetë një ndihmesë e madhe. Por ende nuk është bërë”, ka përfunduar tekniku vlonjat i ballshiotëve.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.