Çelhaka i jep suksesin Laçit, thellohet kriza e Korabit

0
SHPËRNDAJE

Laçi ka fituar takimin e parë të fazës së dytë duke mundur në një duel direkt kundërshtarin për mbijetesë, Korabin, për të thelluar krizën e skuadrës dibrane që mbyll klasifikimin e Superiores.

Pritej një reagim nga ana e Korabit, pas largimit të trajnerit Mërgjyshi, por asgjë nuk ka ndryshuar te kjo skuadër e cila dhuroi një lojë shumë të dobët dhe thuajse asnjëherë nuk rrezikoi portën e vendasve.

Edhe këta të fundit nuk krijuan shumë raste për të shënuar, por u treguan shumë cinikë pasi dërguan topin në rrjetë në momentin e parë që iu dha mundësia të dilnin para portës kundërshtare me Çelhakën duke marrë tri pikë që mund të cilësohen të merituara.

Takimi nis i shpejtë dhe mundësia e parë reale për të shënuar në këtë ndeshje dhe i përket Laçit. Lushkja, në hyrje të zonës dibrane, provon të dërgojë topin në rrjetë me tentativën e tij, por gjuajtja nuk gjen kuadratin.

Pas dy minutash, Nexhipi provon nga distanca me gjuajtjen e tij që shoqërohet me sy jashtë kuadratit nga Selmani.

Minuta e 25-të, një goditje dënimi e Toskit, i cili harkon topin në zonë nga e majta, ku ndodhet Qaqi që gjuan me kokë por topi përfundon shumë lart mbi traversë.

Në të 36-tën, pas një aksioni të gjatë të Korabit, topi përfundon te Nako i cili në hyrje të zonës godet me të djathtën, por pa i dhënë forcën e duhur sferës që përfundon në krahët e Selmanit.

Në fundin e pjesës së parë, pikërisht në të 43-tën, Laçi rrezikon përsëri me goditje standarde. Toski kërkon në zonë Gjonin por Peposhi tregohet i vëmendshëm dhe largon topin në goditje këndi.

Fraksioni i parë nuk ka më histori, ndërsa edhe e dyta nis me rastet që mungojnë.

Në të 56-tën, tjetër goditje dënimi e Toskit që krijon panik në mbrojtjen dibrane. Vujadinoviç del huq në tentativën për të larguar sferën dhe vetëm një ndërhyrje vendimtare e Nakos zgjidh një situatë të komplikuar para katërkëndorit.

Eshtë minuta e 59-të, kur ngulmimi i Laçit sjell edhe golin e shumëkërkuar. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Taubate nga e djathta sheh depërtimin në zonë të Çelhakës dhe jep një pasim të artë për mesfushorin i cili dërgon me lehtësi topin në rrjetë. 1-0.

Në të 65-tën, tjetër aksion nga e djathta për vendasit me Taubate, por gjuajtja e sulmuesit prek shtyllen në krahun e majtë të portierit Vujadinoviç dhe përfundon jashtë.

Në të 68-tën, reagon Korabi me Plakun, i cili gjuan në hyrje të zonës, por goditja e tij devijohet në këndore, e para për dibranët në këtë sfidë.

Në të 71-tën, goditje dënimi e Çelës nga rreth 20 metra, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën.

Deri në fund vendasit kontrollojnë me qetësi tentativat e Korabit që nuk arrin të depërtojë në zonë dhe si rrjedhojë të rrezikojë katërkëndorin e Selmanit.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Laçin që merr një trepikësh mjaft të vlefshëm, ndërsa tek Korabi thellohet kriza.

Pas këtij takimi, kurbinasit renditen në vendin e 9-të me 7 pikë, ndërsa dibranët mbesin në fund me 5 pikë.

Javën e ardhshme, Laçi luan me Tiranën në “Selman Stërmasi”, ndërsa Korabi luan në transfertë me Skënderbeun, në një përballje realitivisht të vështirë. /minuta90.com/

Laçi-Korabi 1-0

Goli: Çelhaka 59’

Laçi: Selmani, Musaj, Qaqi, Gjoni, Shala, Lipi (Toska 54’), Pinto, Toski (Biba 64’), Lushkja, Alechenwu (Çelhaka 46’), Taubate Tr: Ramadan Ndreu

Korabi: Vujadinoviç, Nako, Sheta, Çela, A. Peposhi, Mziu, Zefi, Veliaj, Zguro (D. Peposhi 73’), Nexhipi (Kaloshi 80’), Plaku Tr: Artion Poçi

Gjyqtarë: Klajdi Kola

Kartonë të verdhë: Shala 27’/ Çela 78’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.