Cënimi i kulturës së futbollit

0
SHPËRNDAJE
Loading...

BESNIK DIZDARI
BESNIK DIZDARI

Prolog

Të shtunën e 11 shkurtit 2016, në ndeshjen Vllaznia-Flamurtari, ka ndodhur një nga gjërat më të rralla të historisë së futbollit botëror. Jam munduar këto ditë, por nuk ia kam arritur të gjej një rast që, brenda 3 minutave e 37 sekondave të fundit të një ndeshjeje futbolli, të shënohen tre gola në ndryshim të kaheve të rezultatit, siç ndodhi në ndeshjen Vllaznia-Flamurtari, 3-2. Ndoshta mund të ketë ndodhur. Ai që e gjen, bën mirë ta publikojë.

Ky rast botëror pra, nis e shfaqet në minutën e 89-të e 9 sekonda të ndeshjes Vllaznia-Flamurtari, çast kur Bakaj shënon golin që e çon Vllazninë në epërsi 2-1. Dukej fitore e përfunduar. Mirëpo, pa kaluar 1 minutë e 46 sekonda, mu në minutën e 90-të e 55 sekonda, Busic i Flamurtarit barazon 2-2 me golin e tij të bukur. Duket barazim i mbaruar. E ndërsa spektatorët shkodranë të revoltuar nisin të braktisin stadiumin e tyre “Loro Boriçi”, pa kaluar 1 minutë e 51 sekonda, Pjeshka shënon golin e fitores për Vllazninë dhe 3-2!

Ky episod planetar na thotë se brenda 3 minutave 37 sekondave të fundit të lojës, madje të shtesës, janë shënuar 3 gola me tri ndryshime të kahut të rezultatit, 2-1 për vendësit, 2-2 barazim dhe 3-2 po për vendësit! Që do të thotë se nuk janë tre gola të një skuadre eprore që ndalon pa ndalë, bie fjala, 2-0, 3-0 apo 4-0. Jo! Është përmbysje rezultati tri herë tri kahesh brenda 3 minutave e 37 sekondave. “Rekord” botëror!

Në përmbajtje kemi “gëzimhidhërim-gëzim” të Vllaznisë dhe “hidhërim-gëzim-hidhërim” të Flamurtarit. Dhe ndonëse fitoi Vllaznia, do të thosha se fitimtare janë të dyja këto skuadra, që i dhuruan futbollit një shfaqje me një fund spektakolar të përmasave. Në kësi rastesh, pavarësisht me të çmueshmen e fitores së njërit, trajtimi duhet bërë si një shfaqje me interpretues të dyanshëm.

1.

E pra, a e trajtojmë ndeshjen futbollit si një shfaqje?

Them se ka do të kohë të mira, që në Shqipëri kjo nuk ndodh assesi. Shqipëria, me një kampionat kombëtar thuajse pa asnjë rritje e fuqizim, nuk di gjë tjetër veçse të flasë për presidentë e trajnerë, për transmetim televiziv “ekskluziv” deri në mërzi, për tifozë rebelues, për fitim të titullit kampion e për rënie nga Kategoria, për FSHF-në e presidentin (kryetarin) e saj. Thuajse askush nuk flet për futbollin si një shfaqje. Deri aty sa e gjitha kjo po ndikon tejet edhe në ecurinë e vetë gazetarisë sportive.

Pikërisht dy vjet më parë, më 18 shkurt 2015, në ndeshjen e Kupës, atë Skënderbeu-Flamurtari 3-1, futbollisti Bledi Shkëmbi ka shënuar një gol nga mesi i fushës. Unë për vete jam marrë jo pak me përshkrimin dhe publikimin edhe me foto të këtij goli prej mesit të fushës. Duhej të bënte rrethin (xhiron) e botës, por në të vërtetë nuk bëri as rrethin e Shqipërisë.

Absolutisht nga krejt shtypi e televizionet ky gol që e ka ëndërruar (pa ia arritur) ta shënojë edhe mbreti Pele, përherë është quajtur një kryevepër futbolli. Pavarësisht ku shënohet, në Korçë apo në Rio, në Torino apo në Mynih, në Londër apo në Paris. Kështu, sepse është thuajse e pamundur për ta realizuar.

Igor Fesunenko, një gazetar i madh i Bashkimit Sovjetik, për vite korrespondent i “Radio Moskës”, në Rio de Janiero, e ka përshkruar kështu dështimin e Peles në synimin e golit nga mesi i fushës: në librin e tij përbotshëm “Kupa e Marakanës”:

“… Pjesa e parë e ndeshjes Brazil-Çekosllovaki po i afrohej fundit, kur Pele për pak sa nuk shënoi golin, për të cilin kishte ëndërruar gjithë këto vite të fundit: golin nga mesi i fushës. … Ai e kishte marrë topin dhe ndodhej në rrethin qendror, në gjysmëfushën e tij dhe pa se portieri Viktor kishte dalë përpara vijës së 16 metrave. Dhe në çast, pa u përgatitur aspak, papritmas lëshon topin deri mbrapa shpinës së portierit. Telespektatorët e kanë pa mirë këtë situatë.

Në Brazil atë e tregojnë qindra here. Topi fluturonte në një hark të gjatë dhe në panik vraponte për te porta e tij portieri Viktor. Ai vraponte, vështronte, pengohej, ndërsa i merreshin këmbët, siç dukej nga tmerri. Stadiumi u ngrit në këmbë. Miliona spektatorë në të gjithë botën mbajtën frymën. Por topi, si përshkoi një kthesë, kaloi gjysmë metër larg shtyllës”…

Ky është pra dhe përshkrimi, pse jo edhe letrar, që të nxit kultura e futbollit. Po të mos ishte kështu, ai nuk do të tërhiqte shumë penda letrare të famshme të botës, madje në poezi e prozë e në shkrime gazetarie: Albert Camus, Pier Paolo Pasolini, Jevgjeni Jevtushenko, Jorge Amado, Jorge Luis Borges…

Kanë thënë:
Albert Camus: “E gjithë ajo çka di për jetën e kam mësuar prej futbollit”.

Jean Pol Sartre: “Futbolli është metafora e jetës”.

Pier Paolo Pasolini: “Futbolli është përfaqësimi i fundit i kohës sonë. E ndërsa paraqitjet e shejta, madje dhe mesha, janë në rënie, futbolli është i vetmi që ka mbetë. Ai është spektakli që ka zëvendësuar teatrin”.

Jorge Luis Borges: “Sa herë që një fëmijë kërkon të godasë me këmbë diçka që i del përpara në rrugë, mu këtu rifillon historia e futbollit”.

Jevgenij Jevtushenko: “Poeti në mënyrën e vet duhet të zotërojë cilësitë e futbollistit-universal: të sulmuesit ose mbrojtësit, por në shumë raste edhe të portierit apo trajnerit. Jo rastësisht një nga librat e parë të Majakovskit titullohej simbas përcaktimit thirrës për portierin: ‘Prite!’”.

Ndërsa ne sot e cenojmë kulturën e futbollit, duke nënvlerësuar mu bukurinë e tij, përshkrimin e botës së tij shpirtërore që ai krijon, artin e kësaj loje, që po të duash quaje peleiane apo maradoniane, messiane apo ronaldoiane.

Në Shqipëri është mbërritur deri aty saqë nuk po e tregojnë siç duhet futbollin, duke mos e shfaqur kulturën që ai mëkon.

Vështroni tash se çka sundon. Një javë të tanë a më shumë sundon fakti se nja dhjetë tifozë protestojnë përse lejohet Partizani të luajë në Stadiumin “Selman Stërmasi”, dikur “Dinamo”, edhe pse klubi kërkues është gati të paguajë për të luajtur, pagim që madje ha paksa diskutim. Sepse në këtë stadium Partizani ka shkruar faqet më të bukura të historisë së klubeve të futbollit shqiptar.

Dhe pa menduar aspak gjatë, mbi të gjitha, simbas kuptimit publik të gazetarisë, një javë e më merremi me këtë “ngjarje”! Madje i thërrasim, i mbajmë në ekran për orë tifozët revoltues. Në vend që të kërkojmë të formohen ligjërisht shoqatat e tifozëve, të mësojmë numrin e të anëtarësuarve të tyre, të ndjekim dëshirat e tyre humane, të një kulture futbollistike pra.

Dhe, nga ana tjetër, e kalojmë, bie fjala, episodin e bukur të ndeshjes së Shkodrës krejt kalimthi, si diçka krejt e zakonshme, ndonëse për kah vlerat estetike e të kulturës së futbollit, ky episod na tregon se sa mahnitëse është bukuria e futbollit, sa çlodhëse e qetësore në ndjenja janë kthesat e tij dramatike, interpretimi njerëzor i topit kapricioz, herë i komanduar dhe herë i pakomanduar prej këmbës së njeriut.

Ajo që është “organi më pak i përpunuar i organizmit të njeriut”, siç e kanë përcaktuar. E kësisoj, interpretimi i këmbës në marrëdhënie me topin e rrumbullakët është gjithnjë sa i çuditshëm, aq dhe “i papërgjegjshëm”, sa krijues, aq dhe mahnitës në befasitë shpesh të pashpjegueshme që futbolli shpreh përmes tij.

Dhe janë këto që e shndërrojnë këtë sport apo lojë në një shfaqje çlodhëse, dëfryese, që gjithnjë krijon gjendje sa të gëzueshme, po aq dhe “hidhëruese”, pa shteruar kurrnjiherë besimi te shpresa ëndërrimtare e ndeshjes së javës që vjen. E që për çudi nuk ngjason me asnjë shfaqje tjetër, mbase. E ka thënë shumë bukur Kisingeri kur e kanë pyetur se çka sheh më shumë, futboll apo basketboll:

“Natyrisht futboll,- është përgjigjur, duke vënë buzën në gaz sekretari mitik i shtetit i SHBA,- sepse çuditë e tij mund të ndodhin në çdo çast gjatë gjithë 90 minutave. Përkundrazi, për sa i përket basketbollit, mjafton të shohësh 5 minutat e fundit, sepse këtu ose mbetet e pandryshueshme epërsia e dukshme në pikë e njërës skuadër, ose brenda këtyre 5 minutave ndodhin përmbysjet e rezultatit, nëse ky është i ngushtë”.

Kësisoj, 3-4 minutat përmbysëse të ndeshjes së Shkodrës, që ec e shpjegoji se si ngjanë; apo dhe goli nga mesi i fushës i Shkëmbit, janë një pasurim i antologjisë së përbotshme të futbollit, që kurrsesi nuk mund të kalojnë kësisoj në heshtje.

E kam të vështirë ta pranoj se e kam gabim. Madje, jam gati të polemizoj me etikë për këtë, por mendoj se asnjëherë në historinë e Shqipërisë, nuk është cenuar më shumë se sot kultura e sportit të futbollit. Ata që më ndjekin sado pak, e shohin se jam një kritik i vazhdueshëm, si në krejt karrierën time të gazetarit ndaj këtij cenimi kulturor.

Dhe këtë kritikë e bëj thjesht për shkak të një keqardhjeje dhe të një synimi: të ndikoj sado pak në forcimin e kulturës së futbollit. Asgjë tjetër, sepse përveç të tjerave, nuk kam asnjë ambicie administrative, pune apo nderimi më tej. Gazetari është shërbëtor i opinionit publik, një shërbestar pra i lexuesit, i telespektatorit, i dëgjuesit të radios, i shtypit, i ekranit të vogël. Kaq dhe vetëm kaq.

Mu kësisoj i takon t’i qëndrojë rolit të tij. Askurrkund tjetër. As në zyrat e federatës apo pranë saj, as në servilizmin shpesh tejet të dukshëm ndaj një lidershipi të djeshëm apo të sotëm. Po aq dhe as kundër saj me inatin e pandalshëm të kritizerit e as me euforinë e lavdëruesit tejet, por të nxitësit për afirmim e bukurinave dhe zhvillimit të këtij sporti kaq popullor për njerëzit e vendin e tij.

2.

Mjerisht ne vazhdojmë ta cenojmë kulturën e futbollit. Dhe jo thjesht me harresën apo injorimin e dy episodeve të mësipërm, por mbi të gjitha me harresën e madhe të vlerës kuptimore të rolit të këtij sporti, e dhënë përmes ruajtjes, zgjerimit, publikimit paraqitëse të kulturës që ai bart.

Dihet ndërkaq: për t’ia arritur kësaj, kërkohen dije, aftësi përshkrimi, kompetencë kulturore sa tanësore po aq edhe të njohjes së këtij sporti. Kërkohet vokacioni për ta shpalosë bukurinë dhe kulturën e tij, diku tjetër pra. Si të thuash, kërkohet “një zë” për t’u dëgjuar mirë te lexuesi, sidomos fort te telespektatori (që sa i rëndësishëm që është bërë!), kërkohet vërtetësi tregimi, paanësi, baraspeshë mendimi e përzgjedhjeje.

Në gazetarinë e sotme sportive, pak a shumë ndodhemi përpara rrezikut të mostregimit të më të qenësishmes të futbollit. E kam fjalën në atë që ajo që sundon, nuk është tregimi mirëfilli i vlerave dhe bukurisë të një ndeshjeje, por çuditërisht është presidenti i klubit, trajneri, apo dhe protagonizmi i vetë gazetarit a komentatorit televiziv, që shpesh me mikrofon në dorë apo nga ekrani i televizionit sundon pa mëshirë.

Edhe pse shpesh, pa përvetësimin e kulturës që ky profesion kërkon. Nuk di a ka ndonjë vend në Europë që një emitent televiziv, një dhe vetëm një, i vetëm, transmeton deri 10 a 12 ndeshje brenda një pasdrekeje, pasditeje a mbrëmjeje, ku shumica e tyre janë ndeshje të shteteve të tjerë. Nuk di nëse ka ndonjë shtet në Europë që në lajmet kryesore të mbrëmjes apo ditës, nuk harron gati asnjëherë të japë lajme prej një kampionati të një shteti tjetër, madje lajme të dorës së dytë, për më tepër edhe me koment, figurë e me një vetëkënaqësi e prepotencë të pandalshme të përpunimit të trurit të futbolldashësit.

Dhe shpesh duke harruar madje atë çka ka ndodhur në Shqipërinë e këtij televizioni “shqiptar”. E jo më të të shkojë mendja të ndalet për disa sekonda të paktën te goli nga mesfusha i Shkëmbit, apo te tre golat 3 minutave të fundit të ndeshjes Vllaznia-Flamurtari që i përkasin Shqipërisë, jo Italisë, Francës, Anglisë, Spanjës apo Gjermanisë.

Dhe ka vite që nuk gjej asnjë lajm për Kampionatin e Shqipërisë në revistat apo gazetat më të mëdha të Europës, që nga “L’Equipe” e Francës e deri te “La Gazzetta dello Sport” e Italisë që e kemi te dera e shtëpisë. Pa sa për në televizionet e tyre, në lajmet kryesore të tyre një lajm për Kampionatin e Shqipërisë, këtë nuk guxoj as ta ëndërroj.

Ndërkaq, nuk gjej asnjë shtet tjetër në Europë që brenda orareve të njëjta, përmes të njëjtës skemë e skenografi thuajse të mbërrihet në atë që e kanë quajtur “mbirëndesë” ose “overdozë”. Çka janë përpjekur ta luftojnë edhe në vendet më të zhvilluara.

Antonio Ghirelli (1922-2012) ka qenë ndër gazetarët ndër më të famshëm e Italisë, kryeredaktor i “Corriere dello Sport” e “Tuttosport”, shkrimtar i mirënjohur, autor librash të shumtë sportivë, por dhe të politikës e historisë, drejtor i TG2 të RAI-t, bujshëm shef i shtypit i Presidentit të Republikës Italiane, Sandro Pertini, partizan e komunist i orëve të para, por braktisës i Partisë Komuniste Italiane mbas Kongresit XX të PK (b) të BRSS. Ai është pa dyshim kritiku më shembullor (emblematik) i “overdozës” televizive të futbollit, asaj të Italisë së tij, teksa ka shkruar esenë e tij të bujshme me titullin “Ja armiqtë e futbollit”.

Ka shkruar Ghirelli:
“… Federata, Liga dhe TV, publik e privat, po bashkëpunojnë me një zell të pashembullt për shkatërrimin e asaj lodre aq të kushtueshme e tunduese, që quhet futboll. Mbipesha skandaloze e lodhjeve të parakampionatit dhe lëmshi i krijuar midis turneve indigjenë, kupave për shoqëritë e klubeve dhe garave eurobotërore midis skuadrave kombëtare, përfaqësojnë tashmë një atentat të suksesshëm ndaj rregullsisë së kampionateve, ndaj rezistencës së lojtarëve dhe ndaj interesit të spektatorëve.

Në qoftë se i kemi numëruar mirë, në harkun e më pak se dymbëdhjetë orëve u derdhën mbi spektatorët plot gjashtëmbëdhjetë transmetime, një lloj torture kjo e ushtruar me mjete nga më të ndryshmet, që nga kronika e drejtpërdrejtë e deri te sinteza, që nga debati deri te procesi, që nga prezantimi deri te kronika e regjistruar.

Duke filluar që nga ora 18:00, bombardimi u dendësua aq shumë derisa transformoi në një makth halucinant mbrëmjen e dëgjuesit të gjorë, i cili nuk dinte si ta përballonte drogën e ekranit të shoqëruar me atë bishtin e ‘ekspertit’, ish-lojtarë belbëzues, trajnerë të dështuar e kronistë debutues, pse jo edhe vogëlushe me buzëqeshje të shkëlqyeshme e almanak gjysmak.

Kurrë ndonjëherë lakmia e konkurrencës, uria për ‘audiencë’, nuk kanë arritur të prodhojnë defekte më të mëdha se këto, duke e shkapërdarë publikun dhe idetë (kur ato ekzistonin) në një mori absurde emisionesh pa peshë, të tepërta, përsëritëse, handikapi i një programacioni të marrë me një lumë emisionesh, prej të cilave të paktën tre të katërtat mund të zhduken qetësisht ose të ridimensionohen, zhdërvjelltësohen, ritmohen, për të evituar që overdoza të prishë shijen e platesë televizive.

Në gazetari (ashtu si në spektakël nga ana tjetër) nuk vlen sasia, por cilësia. Në ekran cilësinë e garantojnë tre faktorë: ritmi i emisionit, esencialiteti i informacionit dhe zotë- sia (aspekti fizik, fantazia dhe profesionalizmi) i redaktorëve…”.

Sikur ta kishte shkruar për “overdozën” e Shqipërisë së sotme futbollistike.

Ky është cenimi i kulturës së futbollit, i kulturës së futbollit të vendit tënd. Është një lloj shpëlarjeje truri e rinisë shqiptare, që nuk shkon në stadiumet e saj, por ngulitet te ekrani i ndeshjes së shtetit tjetër.

Më mbeti në mendje pak ditë më parë. Po transmetohej ndeshja Luftëtari-Korabi. Dhe në të njëjtën kohë transmetohej ndeshja e kampionatit të Italisë, ajo Palermo-Atalanta. Stadiumi thuajse bosh. Dhe e transmetonte Shqipëria në TV?! “Mamma mia!” do të thoshte një italian përsëmbari!

Nuk po zgjatem më te kjo dukuri e fundit, që, përveç të tjerave, i takon një përimtimi të çmonopolizimit të së drejtës televizive në vetëm një apo dy duar. Një monopolizim që nxjerr në tregun publik të televizionit pra, edhe mallra të zhvleftësuar edhe në vendin e tyre. Dhe në dëm të prodhimit vendës, qoftë edhe ky Luftëtari-Korabi, sado modest që të jetë. Është i yti! Një monopolizim, që ka goditur edhe televizionin publik (TVSH), të cilit kuptohet nuk i skuqet faqja, edhe pse mezi transmeton ndonjë ndeshje të vetme të Kampionatit të Republikës së Shqipërisë, të asaj republike që ky televizion përfaqë-son para qytetarëve të tij.

Epilog

E, tash po e mbyll, duke u mbështetur te një paralelizëm me dy episodet, me të cilat fillova këtë shkrim.

Salvatore Lo Presti është gjithashtu një nga gazetarët më të mëdhenj sportivë të Italisë. Ka shkruar një libër tejet origjinal me mbi 300 faqe, me titullin “La Juve é tutta un quiz”. Është një libër krejt i rrallë pra, në gjininë e vet, një libër statistikor, me pyetje-përgjigje të gjithë “rekordeve” më spikatëse të historisë së Juventusit dhe lojtarëve të saj. Plot 12 herë është protagonist i atyshëm edhe Riza Lushta, i vetmi “lojtar shqiptar që dha një kontribut të madh duke mbetur në këtë klub forcë e dukshme e tij për katër sezone”, siç e përcakton Lo Presti.

Mandej, përmes faqeve të këtij libri “quiz”, ai e veçon Lushtën me rekordet juventine radhazi të këtij shqiptari të madh të Sportklub Tiranës, Shqipërisë e Kosovës, të cilin Shqipëria që e formoi dhe e rriti, nuk i ka bërë asnjë nderim deri më sot.

Shkruan për Riza Lushtën libri i mësipërm:
* I pari lojtar i huaj që ka fituar titullin e shënuesit më të mirë në një Kampionat të Serie A (15 gola më 1941-42).

* In pari lojtar i Juventusit që u bë shënuesi më i mirë i një edicioni të Kupës së Italisë (8 gola më 1941-42).

* Shënuesi më i mirë i Juventusit me 16 gola në Kampionatin e Serie A 1941-42, kur titullin e fiton Roma e Naim Kryeziut.

* Shënuesi i dytë më i mirë i Juventusit edhe më 1942-43 me 17 gola.

* I vetmi lojtar i Juventusit që ka shënuar 3 gola në një finale të Kupës së fituar prej tij, 4-1 kundër Milanit më 1942.

Edhe këto hyjnë në kulturën e futbollit që ne po rrezikojmë ta shuajmë. Ose që kujtojmë se e japim, duke transmetuar çdo javë edhe ndeshjet krejt të pavlerë të shteteve të tjera, duke shuar keqas, sidomos te rinia, interesin për ndeshjet e kombit tënd. Dëm i lejuar nga rregullat naive të shtetit shqiptar!

Nuk i shërben kulturës së futbollit që të ushtojë “propaganda” kësisoj me faktin se presidenti (kryetari) i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vënë kandidaturën për t’u zgjedhur në kryesinë (Komiteti Ekzekutiv) e UEFA-s. Harrojmë ndërkaq se në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s kanë bërë e bëjnë pjesë edhe përfaqësues të shteteve që nuk e kanë më lart se Shqipëria nivelin e futbollit, nga Qipro deri tek Izraeli.

Kjo eufori përzgjedhëse nuk bën pjesë assesi në nxitjen kulturës së futbollit. Ky është thjesht një lajm, madje një lajm i vogël. Dhe shumë mirë nëse zgjidhet. Dhe vetëm kaq. Varfëri tematike! Dhe më e rëndësishmja: nuk është aspak e vërtetë që kjo zgjedhje e mundshme do të bëjë që të vërshojnë “të mirat” e mëdha në futbollin shqiptar. Përralla! Harrojmë se UEFA ka rregullat strikte të paanshme të saj.

Madje, moszbatimi i tyre e çoi deri në përjashtim prej kancelerive e drejtimeve të saj njërin prej kolosëve të futbollit botëror me emrin Michel Platini. Buja e kësaj zgjedhjeje të mundshme, më e pakta nuk ndikon assesi për të ndalur cenimin e kulturës së futbollit në Shqipëri, ku organizimi aq i varfër i ndeshjeve (temë për më vonë) natyrisht ka pjesën e përgjegjësisë edhe drejtimi i FSHF-së.

Natyrisht, nuk e shpëton cenimin e kulturës së futbollit në Shqipëri, nënvleftësimi apo mospërsiatja i katër minutave magjike të stadiumit “Loro Boriçi”. Ato vetëm sa na nxitën të shkojmë te shtjellimi ynë i dukurisë, për fat universale të cenimit të kulturës së futbollit në Shqipëri. E për këtë nuk mjaftojnë katër minuta, orë apo ditë. Kështu siç kanë shkuar punët, duhen muaj e vite. Jemi në rrugë të gabuar.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.