Ceremonia zyrtare e Olimpistëve të Shqipërisë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Gega_Calja_sportistet-shqiptare-drejt-Rio-658x371Ekipi olimpik kombëtar shqiptar është gati për Lojërat Olimpike Rio 2016, ku synon të bëjë një paraqitje sa më pozitive. Mbrëmjen e kësaj të Premteje në ambientet e Tirana International Hotel u bë edhe ceremonia zyrtare e përcjelljes së delegacionit olimpik për në Olimpiadën e Brazilit, aty nga ku Shqipëria synon të kthehet me të paktën një medalje.

Janë 5 sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Rio, duke filluar nga nënkampionia e Europës, atletja Luiza Gega për të vazhduar me peshëngritën Briken Calja, atletin në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj dhe notarët Sidni Hoxha dhe Nikol Merizaj.

Në mbrëmjen gala të organizuar me rastin e përcjelljes së ekipit olimpik kombëtar shqiptar në Lojërat Olimpike, përvec presidentit të komitetit olimpik kombëtar shqiptar, Viron Bezhani dhe presidentëve të federatave përkatëse ishte e pranishme edhe ministrja e arsimit dhe sportit, Lindita Nikolla.

Fillimisht fjalën e mori presidenti i KOKSH-it Viron Bezhani, i cili theksoi se sporti shqiptar po vjen gjithnjë e më shumë në rritje duke siguruar se 5 sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Rio do të kthehen nga Lojrat Olimpike me rezultate shumë të mira.

Nga fjalimi i Viron Bezhanit te prezantimi një nga e një sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Mungesa e vetme ishte ajo e notarit Sidni Hoxha, i cili ndodhet aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do t’i bashkohet ekipit direkt në Rio De Janeiro.

Më pas fjalën e mori ministrja e arsimit e sportit, Lindita Nikolla, e cila fillimisht i dorëzoi flamurin olimpik atletes Luiza Gega, duke u uruar njëkohësisht fat sportistëve shqiptarë që do ta marrin pjesë në lojrat e Rios si dhe duke u shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Luiza Gega atletja e garave të 1500 dhe 3000 metrave u shfaq shumë e lumtur që do të jetë ajo sportistja që do mbajë lart flamurin olimpik shqiptar në Rio De Janeiro.

Në fund kishte vend edhe për foto zyrtare të ekipit olimpik kombëtar shqiptar/Supersport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.