Champions League/ Spektakel ndermjet Chelseas dhe Romes. Ja te gjitha rezultatet

0
SHPËRNDAJE

Edhe mbrëmja e dytë e ndeshjeve të treta në grupet e Champions League, rezultoi spektakolare, ndërsa nuk munguan as surprizat.

Kështu, kryendeshja e mbrëmjes, ajo mes Chelsea-t dhe Romës dhuroi spektakël dhe plot 6 gola. Londinezët kaluan në avantazh të dyfishtë, por Kolarov rihapi sfidën në minutën e 40 të pjesës së parë. Në pjesën e dytë Dzeko shënoi dy gola dhe kaloi italianët në avantazh, por Hazard barazpeshoi shifrat në minutën e 75 të takimit dhe vulosi rezultatin 3-3.

Skuadrat si Bayern, Barcelona dhe Paris Saint Germain, bënë detyrën ndaj kundërshtarëve modestë. Kështu gjermanët e Heynckes mposhtën 3-0 Celtic-un, katalanasit fituan 3-1 ndaj grekëve të Olympiacos dhe PSG-ja triumfoi 0-4, në transfertën ndaj Anderlechtit.

Edhe Juventusi i Massimiliano Allegrit u rikthye te fitorja, pas dy rezultatesh aspak pozitive në kampionat. Bardhezinjtë mposhtën jo pa vështirësi portugezët e Sportingut të Lisbonës, me rezultatin 2-1, ndërsa golin e fitores e shënuan vetëm 5 minuta nga vërshëllima finale me kroatin Mandzukiç.

Fitore të artë mori edhe Manchester United, në transfertën portugeze ndaj Benfikës. Rashford shënoi në pjesën e dytë dhe i dha 3 pikë të vlefshme skuadrës së Mourinhos, e cila kryeson grupin me 9 pikë.

Në Rusi, Taulant Xhaka nderoi Bazelin, me një gol të shënuar në minutën e 29 të pjesës së parë dhe me asistin e dhënë për golin e dytë, në fitoren 0-2 ndaj CSKA-së së Moskës. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte një nga më të mirët në fushë, jo vetëm për golin dhe asistin e dhënë. Bazeli aktualisht ka 6 pikë, dhe ndjek në renditje Manchesterin e Mourinhos, ndërsa ka lënë pas vetes pikërisht rusët dhe Benfikën.

logo
Champions League Logo

S'KA KOMENTE

Comments are closed.