Cikalleshi: Manaj dhe Avdiaj nuk na duhen për momentin

0
SHPËRNDAJE

cikalleshiNë një intervistë për SYRi.net, Cikalleshi ëhtë shprehur kundër afrimeve të reja në kombëtare. Sipas tij grupi aktual është perfekt dhe do të ishte në gjendje që të përballonte kompeticionin futbollistik të “Francë 2016”, në rast se Shqipëria do të kualifikohej

Çfarë menduat pas zëvendësimit në ndeshjen me Portugalinë? A e menduat humbjen?

Me thënë të drejtën humbjen nuk e mendoja, por thjeshtë mendoja që ndeshja të mbaronte e hapur, pasi edhe barazimi ishte në favor për ne.

Humbja ndaj Portugalisë për mendimin tënd erdhi si pasojë e lodhjes, apo na penalizmi fati, siç na ndodhi dhe me Danimarkën në ndeshjen e parë?

Nuk mund t’ja vë as lodhjes por dhe as fatit, sepse u fol shumë se u kthye Shqipëria e viteve të fundit kur pësohet gol në fund, por nuk është fare e vërtetë, ky është futbolli. Ndonjëherë fati nuk është me kombëtaren tonë, siç nuk ishte në këtë ndeshje duke filluar nga shtylla ime, apo ashtu siç vajti ndeshja duke pësuar gol në fund, ky është futbolli.

Megjithatë ndryshe nga herët e tjera, pavarësisht se ka një pezmatim për humbjen në minutat shtesë, shpresat për kualifikim duket se vazhdojnë akoma. Cila është ndeshja më e vështirë sipas jush, ajo me Serbinë apo me Armeninë?

Absolutisht që mundësia është shumë e madhe që ne të kualifikohemi. Shpresojmë në një rezultat jo pozitiv të Danimarkës në Portugali dhe ne të kualifikohemi direkt me një fitore. Dy ndeshjet janë shumë të vështira, por duke parë se ndeshjen e parë e kemi me Serbinë, ne do të mundohemi që ti mbyllim llogaritë që në këtë ndeshje. Por mos harrojmë që gjërat e bukura vijnë me vështirësi, kështu që ne duhet të japim maksimumin, të gjithë së bashku si lojtarët ashtu dhe tifozët për t’ia dalë.cikalleshi

Megjithatë, Cikalleshi, prej kohësh jeni në sulmuesi kryesore, dhe keni besimin e De Biazit, duke pasur dhe një rival i cili vjen nga një ekip i madh si Bazeli, siç është Shkëlzen Gashi. Gjithsesi po konsideroheni si sulmues i shtyllave, kur do të bëni gol për herë të parë me kombëtaren?

Këtë përgjigje nuk mund ta jap unë, sepse siç e keni parë të gjithë shtyllat më kanë mohuar golin. Mendoj se jam i përzgjedhuri i De Biazit sepse i kam zbatuar detyrat e mia me përpikmëri, por dhe me performancat e mia. Gjithashtu e kam ndihmuar ekipin në aspektin mbrojtës, duke filluar që nga unë që jam sulmues i parë, që kam bërë maksimumin në aspektin mbrojtës dhe i gjithë ekipi kemi arritur të marrim rezultate pozitive në këtë kompeticion.

Për të kaluar tek formacionet, kolegu juaj, bashkë futbollist me ju, Ergys Kaçaj, ka dhënë deklarata të ashpra, ku ka akuzuar De Biazin se po tregohet diktator dhe po largon të rinjtë, po largon talentet duke ju referuar edhe Mehës e Ramës?cikalleshi-600x600

Unë nuk di asgjë për këtë problemin e Kaçes, normalisht e kam dëgjuar edhe nëpër gazeta. Në momentin që kam qenë në grumbullim Kaçaj ka qenë shumë mirë . Normalisht çdo lojtar do të japi kontributin e tij për ekipin kombëtar, por nuk e di se çfarë ka ndodhur pas ndeshjes me Portugalinë sepse ne jemi larguar. Unë mund të them atë që kam parë, se në momentin që kam qenë në grumbullim, si para ndeshjes me Danimarkën por edhe para ndeshjes me Portugalinë, Kaçaj ka qenë shumë mirë, ka qenë i buzëqeshur. Sigurisht që dëshira tij ishte e madhe për të luajtur, ashtu si e gjithë lojtarëve të tjerë që nuk luajtën, të cilët donin të jepnin maksimumin për kombëtaren.

Ka një debat të hapur pas ndeshjes me Portugalinë nëse De Biazi do ta rinovojë kontratën apo jo. E para ju si futbollist, si lojtar i cili keni punuar me De Biazin, a jeni për ta vazhduar kontratën si trajner i Kombëtares Xhani De Biazi ? E dyta ka një debat kombëtarja e bëri të famshëm De Biazin, apo De Biazi kombëtaren?

Për sa i përket rinovimit të De Biazit, nuk jam unë njeri kompetent i cili mund ta gjykojë, por çdo njeri mund të shoh se ku ka arritur kjo kombëtare. Të gjithë jemi krenarë për këtë Kombëtare, pasi për herë të parë jemi realisht në prag të kualifikimit, të cilën nuk e kemi arritur asnjëherë në historinë tonë. Nuk mund të përcaktoj se sa e madhe është merita e trajnerit, pasi ka një sërë faktorësh që e bënë këtë kombëtare të jetë deri këtu, por absolutisht një meritë të madhe ka edhe ai, sepse ai është strategu i të gjitha lojërave që ne kemi zhvilluar. Për pjesën tjetër nëse e ka ndihmuar De Biazi kombëtaren apo kombëtarja De Biazin, normalisht kjo ka një mënyrë koherente, por unë mund të flas për trajnerin. Për mendimin tim personal është një trajner i madh që edhe në të ardhmen rrallë do ta ketë Shqipëria.

Sot në klubet më të mëdha të Evropës janë futbollistë talente me origjinë shqiptare, të cilët janë rritur në Evropë që po shkëlqejnë, akoma nuk janë pjesë përfaqësueses së Shqipërisë. Është fjala për Avdiajn dhe Manajn. Në rast se Shqipëria kualifikohet në Francë, duka pasur parasysh edhe këta talente, a keni ju në mendje një formacion ideal për “Francë 2016”?

Mua më vjen mirë që dëgjoj që talente të reja shqiptare po dalin në Evropë, dhe ata bëjnë mirë të zgjedhin kombin e tyre dhe të bëjnë më të mirën kur trajneri apo kombi i thërret. Por për momentin ku jemi, unë kombëtares as do ti shtoja dhe as do ti hiqja, asnjë lojtar sepse kemi një grup shumë të fortë. Nuk po them vetëm për 11 lojtarët që kanë luajtur 2 ndeshjet e fundit, por për të gjithë grupin prej 25 lojtarëve që ka grumbulluar trajneri. Të gjithë jemi ambientuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe ata që nuk luajnë e ndihmojnë shumë ekipin, pra jemi grupi perfekt.

Ju mendoni se ky grup, prej 25 lojtarëve, mund ta përballojë Francën, bëhet fjalë për një turne i cili ka ndeshje të ngjeshura?

Absolutisht po, sepse ne jemi një grup që e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, dhe nëse do të ketë shumë prurje të reja do të duhet koha e duhur për tu ambientuar me njëri-tjetrin. Por ky grup është tashmë i ambientuar, të gjithë e kanë parë se kjo kombëtare asnjëherë nuk ka qenë në këto nivele.

Po këmbëngul sërish këtu, a nuk është luks për kombëtaren që lojtarë që po shkëlqejnë me Interin dhe Shalken të mos jenë pjesë e saj, e kam fjalën për Avdiajn dhe Manajn?

Manaj është një talent, ndodhet në një ekip me shumë emër, por është shumë i ri, dhe mendoj se do ende kohë të bëhet pjesë e rëndësishme e kombëtares shqiptare, po ashtu edhe Avdiaj. Ata janë shumë lojtarë të mirë me perspektivë. Por për momentin kombëtarja do lojtarë me eksperiencë që e mbajën peshën e fanellës, lojtarë që ti shërbejnë kombëtares. Por këtë gjë e vendos trajneri, sepse mendimi im mund të mos jetë shumë i vlefshëm. Pasi për opinionin publik një lojtar mund të mos jetë i vlefshëm, por për trajnerin është i vlefshëm, pasi ai funksionon më së miri në idetë që ka trajneri. Neve kemi një grup lojtarësh të ndërtuar shumë mirë me njëri-tjetrin, kjo është arsyeja pse kombëtarja ecën mirë, sepse trajneri ka zgjedhur lojtarë për skemat që ai përdor. Për shumë tifozë një lojtarë mund të duket shumë i vlefshëm, por në sytë e specialistëve dhe trajnerit nuk është kështu, pasi ai mund të jetë lojtar i mirë, por nuk funksionon me ekipin.

A keni filluar të ëndërroni dhe të përgatiteni për Francën?

Që në momentin që ne kemi patur këto rezultate shumë të mira, ne kemi filluar të përgatitemi për Francën, jemi shumë afër dhe nuk duhet ta humbim shpresën dhe mbështetjen. Nuk duhet të ndryshojë asgjë nga ajo që ishte para Portugalisë, kemi një ndeshje të vështirë me Serbinë, të cilët kanë një ekip shumë të fortë, duam ta mbyllim punën e kualifikimit që në këtë ndeshje. Me mbështetjen e të gjithë tifozëve edhe të zotit sepse futbolli është fat. Shpresoj që t’ja dalim dhe të bëjmë ëndrrën tonë realitet.

/Syri.net

S'KA KOMENTE

Comments are closed.