Çmenduri në “Niko Dovana”, Teuta përmbys Vllazninë për 2 minuta dhe kualifikohet për në gjysmëfinale

0
SHPËRNDAJE

Është Teuta gjysmëfinalistja e fundit e Kupës së Shqipërisë. Skuadra durrsake përmbysi disavantazhin 1-0 e takimit të parë, duke mposhtur 2-0 Vllazninë në shtëpi.

Në “Niko Dovana”, pjesa e parë pati pak raste dhe asnjë gol, ndërsa pas pushimit sfida u nxeh në maksimum.

Çasti kulmor erdhi dhjetë minuta para fundit, kur vendasit fituan një penallti (të dyshimtë) që u shndërrua në gol nga Ardit Hila (82′). Vetëm dy minuta më pas, Gerhard Progni me një supergol i dha Teutës kualifikimin e çmendur.

Megjithë presionin e Vllaznisë, Teuta (me 10 lojtarë pas përjashtimit me karton të kuq të mesfushorit Hila), rezistoi deri në fund.

Takimi nis i shpejtë, teksa që në minutën e 7-të, vjen një mundësi e mirë për miqtë. Shtubina provon me një gjysmëroveshatë akrobatike pas një krosimi të mesfushorit Bakaj, por gjuajtja e kapitenit shkon jashtë katërkëndëshit të portierit Shpëtim Moçka.

Teuta kundërpërgjigjet me mesfushorin Gerhard Progni në minutën e 12-të, i cili lëshon një të majtë tokazi nga kufijtë e zonës, mirëpo Agoviç, edhe pse me vështirësi, e kontrollon topin në dy kohë.

Në mesfushë zhvillohet një lojë e fortë, por pa vendosur në vështirësi portierët Moçka dhe Agoviç.

Vendasit e Teutës në minutën e 32-të shfaqen të rrezikshëm me dy raste nga Kotobelli dhe Markoviç brenda pak sekondash.

Në të 40-tën, Endri Vrapi tenton me një të majtë nga goditja e dënimit, e cila gjen në pozicion portierin Moçka.

Një minutë përpara fundit të së parës, Emiljano Musta rrezikon portën e Vllaznisë me një gjuajtje me kokë, por devijimi i mbrojtësit Endri Vrapi e nxjerr topn në goditje këndi.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa pjesa e dytë nis me të njëjtat formacione që e mbyllën të parën.

Ndërkaq, në minutën e 50-të, Teuta pretendon për një penallti pas një dyluftimi në zonë mes mbrojtësit Denis Pjeshka dhe mesfushorit Gerhard Progni, megjithatë për gjyqtarin Jorgji është gjithçka e rregullt.

Për 4 minuta, nxehen gjakrat në fushë dhe lojtarët përfshihen në një sherr mes tyre. Bangal, Bakaj, Vrapi dhe Tafili ndëshkohen me karton të verdhë.

Të dy trajnerët si Gugash Magani, ashtu edhe Armando Cungu, bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa aktivizohen në lojë Andi Ribaj, Tarik Çmajçanin dhe Arbër Çyrbja për Teutën, ndërsa për Vllazninë futen Rubin Hebaj dhe Eraldo Çinari.

Eshtë minuta e 81-të, dhe vjen një penallti për Teutën. Portieri Agoviç pengon sulmuesin Ribaj në zonë dhe gjyqtari Jorgji tregon nga pika e bardhë, përkundër protestave të shkodranëve. Teuta barazon, teksa Ardit Hila nuk gabon nga penalltia: 1-1.

E pabesueshme, por Teuta kalon në epërsi, në harkun kohor të dy minutave. Gerhard Progni gjendet në vendin dhe kohën e duhur, dhe me një të majtë të fortë u jep avantazhin vendasve. 2-0 në “Niko Dovana” dhe 2-1 rezultati i përgjithshëm.

Tre minuta përpara fundit, Teuta mbetet me dhjetë lojtarë, pasi Hila ndëshkohet me direkt me karton të kuq. Autori i golit të parë u ndëshkua pas një përplasjeje në zonë me kapitenin Shtubina, i cili gjithashtu mori karton të verdhë.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe Super Teuta bën mrekullinë në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës se Shqipërisë

Tashmë, “Djemtë e Detit” i bashkohen Tiranës, Skënderbeut dhe Besëlidhjes mes katër më të mirave të kësaj gare. Shorti për çiftet gjysmëfinaliste do të hidhet në fund të marsit, vetëm një javë para gjysmëfinaleve që janë në program për t’u luajtur më 4 dhe 19 prill. /minuta90.com/

Teuta-Vllaznia 2-0

Golat: Hila (pen) 82’, Progni 84’

Teuta (4-2-4): Moçka, Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Shkalla (Çmajçanin 61’), Hila, Progni, Musta, Magani (Çyrbja 70’), Bangal (Ribaj 55’) Tr: Gugash Magani

Vllaznia (4-3-3): Agoviç, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Tafili, Krymi (Çinari 86’), Bardulla, Shtubina, Kalaja, Bakaj (Hebaj 70’) Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Enea Jorgji

Kartonë të verdhë: Bangal 53’, Musta 60’, Hila 75’, Çmajçanin 90’+2 / Bakaj 53’, Vrapi 53’, Tafili 55’, Shtubina 88’

Kartonë të kuq: Hila 87’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.