CONCACAF, Meksikë – Panama, fiton turpi! (video)

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Po zhvillohet mes polemikave të shumta kampionati i Amerikës së Veriut dhe Qëndrore që quhet ndryshe “CONCACAF Gold Cup”. Që në fazën e grupeve janë bërë gabime trashanike dhe të përsëritura nga gjyqtarë me pervojë duke lënë një shije të hidhur që jep përshtypjen se fati i trofeut të kësaj veprimtarie është vendosur me kohë.

Përtej grupeve, gjykimet e dobëta arritën kulmin në ndeshjen Kosta Rikë – Meksikë, kur ekipit meksikan i akordohet një 11-metërsh i paqenë në ‘120, pra në sekondat e fundit të shtesës pasi në dy orë të tëra asnjëra nga ekipet nuk arrinte të gjente rrugën e rrjetës. E këtë e bën të mundur gjyqtari me një penallti fantazëm që kualifikon Meksikën në gjysëmfinale.

Pa kaluar mirë zhurma e çerekfinaleve vjen bomba e ndeshjes gjysëmfinale Meksikë – Panama, që përsëri ka për protagonist gjykimin e shëmtuar, kësaj radhe nga bilbili amerikan Mark Geiger. Vlen të përmenden vetëm disa vendime kyçe për të dalë në përfundimin se ndeshja duhej fituar nga fqinjët e Amerikës.

Që në fillim të ndeshjes, Geiger ndëshkon me karton të verdhë një goditje me dashje me bërryl në fytyrë të meksikanit Vela ndaj një lojtari panamez. Vjen ’25 dhe karton i kuq direkt për Tejada të Panamasë për bërryl në fytyrë ndaj një lojtari meksikan edhe pse kjo ndodh gjatë një dyluftimi në ajër dhe nuk ka asnjë shenjë për goditje me qëllim. E megjithatë Panamaja luan fort dhe bukur, kalon në avantazh dhe e ruan atë me fanatizëm deri sa ndërhyn Geiger në ’89.

CKkvuuiXAAA1Wiw
Ekipi panamez pas ndeshjes poston këtë foto ku lexohet “CONCACAF – Hajdutë!”

Pas një rrëmuje në zonë, mbrojtësi panamez rrëzohet dhe bie me kurriz mbi topin duke e prekur krejt pak por që topi ishte shumë larg lojtarit meksikan plus që portieri ishte ngjitur me topin dhe aksioni ishte krejt i vdekur. Për habinë e të gjithëve, madje edhe të vetë komentatorëve meksikanë të cilët deri në ato momente ishin përmbajtur, gjyqtari nxiton të tregojë pikën e bardhë në favor të Meksikës.

CKk9oAbWUAARIRj
Gazetat nuk i kursyen sharjet

Këtu nervat e lojtarëve panamezë nuk mbajnë më dhe ata e lënë fare fushën me mendimin mos të kthehen më. Nga tribunat nisin hedhjet e shisheve, sidomos nga tifozët meksikanë, ndërsa ka edhe grindje mes lojtarëve në fushë. Kalojnë rreth 15 minuta dhe me insistimin e portierit panamez, lojtarët e Panamasë rikthehen në fushë por i kërkojnë meksikanit Guardado të humbë penalltinë. Ky nuk pranon, gjuan dhe rrjetë. 1-1!

Nuk ka kohë për më tepër dhe nisin shtesat por nuk pati asgjë për të shënuar…derisa ndërhyn edhe njëherë gjyqtari amerikan Geiger i cili nuk mund tja linte kualifikimin në dorë ruletës së penalltive. Kështu që ai vendos ti jape vetë një penallti, nga ato të mefshtat që në shumicën dërrmuese të rasteve nuk jepen, aq më shumë në atë moment të ndeshjes. Përsëri gjuan Guardado dhe gol. 2-1 dhe Meksika kalon në finale. Pas ndeshjes Guardado shprehet për mediat se golat që shënoi nuk i shijoi aspak, madje u ndje keq por…i shënoi.

CKkk3l7WUAADgl_
Andres Guardado

As komentatorët meksikanë nuk patën çfarë të thonë më dhe nisën të kritikojnë edhe ata gjykimin e shëmtuar që nisi në grupe, vazhdoi në çerekfinale dhe kulmoi në gjysëmfinale. Në gjysëmfinalen tjetër Xhamajka mundi papritur Shtetet e Bashkuara duke vulosur kështu një finale Xhamajkë – Meksikë ku të super favorizuar janë natyrisht meksikanët të cilët priten të fitojnë me lehtësi. Por edhe po nuk mundën, kështu si kanë shkuar gjërat deri më tani, një dorë duhet t’jua japë arbitri (natyrisht për të mos çuar dëm punën e shokëve të tij).

11218459_937209249654695_9097564205607945375_n

S'KA KOMENTE

Comments are closed.