Cornel Alexandru Predescu, njeriu që do rregullojë lojën e Skënderbeut

0
SHPËRNDAJE


Largimi i Blendi Shkëmbit padyshim që la një boshllëk të madh në mesfushën e Skënderbeut. Ai ishte jo vetëm një kapiten në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, por edhe njeriu nga këmbët e të cilit filtronin pjesa më e madhe e topave të kampionëve. Jo më kot, klubi vendosi të tërheqë fanellën me numrin 10 sepse ajo mbart një peshë mjaft të madhe emocionale për një skuadër që e ndërtoi historinë e saj më të suksesshme në dekadën e fundit edhe falë kontributit të kapitenit të saj që brenda pak vitesh u kthye në një simbol të kësaj skuadre. Sezonin e shkuar, Shkëmbi e kaloi mes pankinës dhe fushës dhe jo rastësisht edhe skuadra vuajti shumë për të arritur te titulli, ndërsa me largimin përfiundimtar nga futbolli, Skënderbeu humbi shkëlqimin, klasin dhe eksperiencën në mesfushë.

Trajneri Agostinelli ishte viktima e parë e mungesës së numrit 10 dhe kjo reflektohet si në rezultate edhe në lojë. Gjithsesi, klubi nuk qëndroi këmbëkryq por u vu në lëvizje për të gjetur një emër që t’i afrohej sadopak në karakteristika ish mesfushorit të lindur në Korçë. Cornel Alexandru Predescu është identikiti i lojtarit që në Rumani nuk arriti të korrte famën që paraardhësi i tij te Skënderbeu regjistroi gjatë viteve të fundit, gjithsesi klubi korçar i besoi një vend në skuadër. Pak ditë përpara rikthimit të Skënderbeut në garat zyrtare, kurioziteti ishte i madh për ta ndjekur nga afër 29-vjeçarin. Emri i tij nuk figuronte në listën zyrtare të ndeshjes miqësore me 21-vjeçarët e Alban Bushit, por jo në kokën e Ilir Dajës. Trajneri kryeqytetas e hodhi në fushë gjatë pjesës së dytë dhe sinjalet ishin të qarta, një gol dhe një asist. Loja e Skënderbeut filloi të xhironte si një mekanizëm perfekt, ndërsa Predescu plotësi çdo pritshmëri. I njëjti pozicion, i njëjti klas dhe shumë fantazi në mesfushë. Ajo ishte ndeshja që Daja e kuptoi se ndoshta Predescu mund të hidhte kandidaturën për të zenë vendin e lënë bosh nga Shkëmbi edhe pse me diplomaci u shpreh se rumunit i vevojiten ende minuta në këmbë.

Debutimi në kampionat erdhi vetëm pak ditë më vonë në minutën e 59 kur mesfushori rumun zëvendësoi Nimagën në sfidën ndaj Flamurtarit. Kampionët fituan më shumë fantazi në mesfushë dhe u bënë të paparashikueshëm në minutat e mbetura ku gjetën edhe golin e fitores. I njëjti skenar dhe i njëjti përfundim. Në duelin e së Hënës kundër Korabit, Predescu zëvendësoi Fukuin dhe papritur loja e Skënderbeut nisi të bëhej më interesante. Pa pika referimi dhe më e rrezikshme, skuadra korçare gjeti golin vetëm 13 minuta më pas. 10 minuta mesfushori rumun i regjistroi edhe në transfertën e Kupës ndaj Laçit. Vetëm pas hyrjes së tij në lojë ekipi mundi të gjejë rrugën e rrjetës. Ndoshta është rastësi por Predescu po rezulton njeriu kyç i kampionëve, lojtari që me pasin e fundit mund të bëjë diferencën e 90 minutave ku të besuarit e Dajës nuk arrijnë të gjejnë çelësin e portave kundërshtare.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.