Cungu: 3 lojtarë duan të largohen nga Vllaznia por…

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Tre futbollistë shkodranë kërkojnë “divorcin” nga Vllaznia. Burime të sigurta zbulojnë për gazetën se Erald Çinari, Denis Pjeshka dhe Ardit Krymi presin prej klubit lejen e kalimit, pasi kanë marrë oferta nga jashtë vendit.

Megjithatë, që të konkretizohet dëshira e talenteve fillimisht duhet miratimi i drejtuesve më të lartë shkodranë. Në planet e kuqeblubve është “blindimi” i elementëve vendës dhe këtë e konfirmon vetë Armando Cungu.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon sezonin e fundit, merkaton dhe u vendos “ultimatum” lojtarëve që duan të largohen.

Profesor, a priten të tjera largime nga Vllaznia?

Mua nuk do të më pëlqente që të kishte të tjera largime. Jam informuar që disa sportistë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga ekipi për të luajtur jashtë vendit.

Unë kurrsesi nuk dua që të pengoj të ardhmen e një lojtari, kur bëhet fjalë për të luajtur në nivele më të larta në Perëndim. Kemi diskutuar edhe me drejtuesit e klubit dhe po ashtu administratori Gjyrezi u bëri thirrje të gjithë futbollistëve që duan të largohen ta ndajnë mirë mendjen.

Çfarë doni të thoni më këtë?

Kur të nisemi për fazën përgatitore e dua grupin e plotë dhe dua që të evitohet pjesa që 2-3 ditë para startit të kampionatit të ketë “rrjedhje”. Ato kanë një afat njëmujor. Dëshira është për t’i pasur në ekip dhe jo për t’i larguar. Vllaznia s’e ka luksin për të hequr lojtarë, por siç edhe e thashë pengesë nuk bëhem për askënd. Nuk mbaj njerëz me zor në ekip.

Çfarë po bëhet me merkaton e sa lojtarë keni momentalisht në planet tuaja?

Unë nuk kërkoj 10 lojtarë. Nuk më pëlqen që të sjell një “furgon” me sportistë, por jam me mendimin që të bëjmë afrime sa më cilësore. Nuk ka nevojë ekipi vetëm për tre afrime, por shumë më shumë se kaq.

Duhet të krijohet një lloj boshti. Mendova se e realizuam këtë gjë sezonin e shkuar, por gjithçka u shkërmoq në takimet e fundit. Jemi disi vonë në këtë drejtim por jam i durueshëm, pasi më mjafton vetëm që përforcimet të jenë cilësore. Ardhjet e shumta prishin ekuilibrat në ekip, ndaj këtë gjë do të përpiqem ta shmang.

Kush do të mbajë përgjegjësi për merkaton e këtij sezoni?

Unë kam mbajtur përgjegjësitë e mia edhe për merkaton e vjetshme, për ato emra që kam afruar vetë të paktën. Por duhet që të kemi parasysh se në ekip erdhën lojtarë të cilët nuk kanë qenë në planet e mia, por mungesa e alternativave në pozicione të caktuara bëri që të përforconim grupin me ta.

Edhe tani nuk mund të themi që Vrapi ishte dështim në merkato, po ashtu as për Bakajn dhe Bicajn në fillimet e tij, apo edhe për Ylli Hoxhën. Me këto lojtarë kemi shkuar deri në vend të 4-t. Edhe Cicmil ka qenë për Vllazninë një ndër stoperat më të mirë, po ashtu edhe Agoviç nuk mund të thuhet se nuk është afrim cilësor.

Si do të procedohet këtë vit, që të mos përsëriten të njëjtat gabime?

Do të bëjmë çmos që afrimet e sivjetshme të jenë më të mira e më cilësore. Duhen djem me karakter. Në idenë dhe projektin tim unë gjithnjë jam tërhequr prej lojtarëve vendës, ata që luajnë në Superiore, duke qenë se kam edhe mundësi t’i ndjek. Kjo e bën edhe më të lehtë punën. Gjithsesi, është detyrë e drejtuesve të tjerë teknikë të merren me këto çështje.

Domethënë ju prisni prej klubit?

Pres që në ekip të kem lojtarë cilësorë, të cilët i përshtaten idesë dhe projektit tim. Jam munduar që të kontaktoj me disa elementë deri më tani, megjithatë jemi vonë me konkretizimet.

Duhet ndrequr kjo pjesë. Vllaznia nuk ka për t’u bërë “kantier ndërtimi”, sikundër ndodhi vjet kur kishim 40-50 veta në stërvitje. Kjo nuk do të ndodhë. Unë nuk kam kohë për të humbur. Do të fokusohem te grupi që do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri dhe jo te lojtarët në provë.

Do të ketë një objektiv Vllaznia në këtë sezon?

Nuk ka asnjë trajner në botë që mund të shpallë objektivin pa pasur një plan konkret. Synimet do të zbardhen pas përfundimit të fazës përgatitore. Pak ditë pa filluar kampionati, unë do ta them “Kjo është Vllaznia dhe këto janë pretendimet”. Pastaj, nëse ka kundërshtime për synimet atëherë unë mund të largohem pa problem.

Nuk mund të them jemi për Kupat e Europës, sikundër ndodhi vjet me individë të caktuar dhe anonim. Për qenë në zonën “Euro” duhet të ketë investime shumë herë më të mëdha. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për lekë, por edhe për një interesim maksimal. Ekipi ka nevojë që t’i rrish mbi kokë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU