Cungu: Disa njerëz duan të prishin ekuilibrat tek Vllaznia dhe Partizani

0
SHPËRNDAJE


Superiorja / Ndonëse duhen edhe gati dy muaj për të përfunduar ky sezon, në mënyrë disi të pakuptimtë ka nisur të diskutohet në media e ardhmja e trajnerit të Vllaznisë, Armando Cungu. Pas ndeshjes së fundit me Tiranën, ai ka thënë: “Kam edhe dy muaj kontratë me klubin shkodran dhe, kur të përfundojë ajo, pastaj do të filloj të mendoj për të ardhmen. Deri atëherë, jam i fokusuar maksimalisht te Vllaznia”. Por, çuditërisht, sot në një nga të përditshmet sportive shkruhej se numri 1 aktualisht i pankinës shkodrane e ka bërë gati “divorcin” me kuqeblutë. Madje e ardhmja e tij është posti i trajnerit te Partizani, ngaqë në verë Starova mendohet të largohet nga kjo detyrë. Aludime të tilla sigurisht që e kanë shqetësuar Cungun, që për “telesport.al” do të shprehej:

“Më vjen jashtëzakonisht keq që shkruhen gjëra të tilla. Unë gjithmonë kam qenë i hapur në ato çfarë kam thënë, ndaj nuk ka pse të aludohet për gjëra të tilla. As nuk kam deklaruar se do të largohem përfundimisht nga Vllaznia në fund të këtij sezoni dhe as nuk më ka kontaktuar askush nga Partizani. Po punoj me përkushtimin maksimal për skuadrën time të zemrës, për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë të këtij sezoni, periudhë kur më mbaron kontrata. Më pas do të mendoj se çfarë do të bëj për të ardhmen. Nuk ka pse të ketë aludime. Më duket se dikush është i interesuar për të prishur ekuilibrat te Vllaznia dhe te Partizani, ndaj nxjerrin gjëra të tilla të pavërteta. Nuk është aspak normale”.

Në fakt, ai ka të vërtetë. Kuqeblutë me fitoren e fundit ndaj Tiranës duken më të qetë në renditje, por nuk kanë siguruar akoma asgjë. Për këtë arsye, nuk do të kishte asnjëlloj logjike nëse trajneri do të fillonte të mendonte për të ardhmen e tij. Për më tepër që janarin e një viti më pare, kur Cungu u prezantua te Vllaznia, deklaroi se kishte ardhur te kjo skuadër për një projekt afatgjatë. Dhe një projekt i tillë s’mund të mbarojë me 18 muaj në fakt!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU