Cungu: Duhet të tregoheshim cinikë, dua të di pse mungojnë tifozët

0
SHPËRNDAJE

cungu-470x270Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, pas ndeshjes me Skënderbeun, në prononcimin për SuperSport, shprehu kënaqësinë e tij për pikën e fituar ndaj një rivali mjaft të fortë si dhe tregoi shqetësimin e tij për mungesën e tifozëve në stadium.

“Ndeshja? Ishim të përgatitur për këtë ndeshje pasi e dinim vështirësinë dhe riskun që mund të merrnin duke parë kualitetet që ka Skënderbeu. Gjithashtu e dimë që ata nuk janë siç kanë qënë. Duhej të bënim presion lart, të luanim me kundërsulm dhe të tregoheshim cinikë. Në pjesën e parë e realizuam mirë ndërsa në pjesën e dytë kundërshtari u hodh i gjithi në sulm dhe na vuri në vështirësi. Në fund të fundit, një pikë është shumë mirë për ne.”

“Kalimi i Weitzer në sulm? Weitzer e mbajta në sulm sepse te Shtubina besoj edhe në fazat e tjera të lojës, pjesë që Weitzer është pak difiçitar.”

“Penalltia e akorduar për sulmuesin Salihi? Nuk mund të thuash me saktësi a ishte apo jo, por për mua tashmë nuk ka shumë rëndësi kjo gjë.”

“Mungesat? Kishim disa mungesa por unë besoja te këto djem dhe te profesionizmi i tyre. Bëra edhe disa zëvendësime për të fituar kohë në fund. Besoj se është sukses një pikë ndaj ekipit kampion.”

“Objektivi? Besoj dhe mendoj që ekipi është me këmbë në tokë. Duhet të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur në mënyrë që ekipi të luajë pa stres dhe pa presion. Tani kemi entuziazëm. Ekipi ka cilësi për të bërë lojë, por humbim raste të mira, si rasti i sulmuesit Pepa sot. I mbetem fjalëve që kam thënë në fillim të sezonit sa i përket objektivit, megjithatë mendoj se mund të bëjmë edhe më tepër.”

“Tifozët? Nuk e di as vetë arsyen pse vijnë tifozët në stadium. Njëra arsye flitet se është ekonomike, pastaj janë oraret dhe i ftohti. Do të doja të dija ku qëndron problemi pasi futbolli luhet për tifozët dhe kur ata nuk janë prezent, në fushën e lojës gjithçka është ndryshe. Do të doja realisht arsyen dhe të gjenim një akord që ata të vinin të ndiqnin Vllazninë nga afër.”

“Niveli i lojës që prodhon ekipi? Jam dakord që ekipi ka bërë progres, çka është e dukshme, por kemi shumë punë për të bërë. Kërkojmë që pretendimet tona të rriten, ashtu sikurse loja jonë, por mundësitë që kemi i shihni. Në fazën sulmuese në momente të caktuara loja jonë lë për të dëshiruar. Në përjashtim të ndeshjes me Korabin, ku shënuam tre gola, zakonisht shënojmë 1 dhe mundohemi të mbajmë rezultatin”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.