Cungu: Eshtë ende herët për të folur për vendin e katërt, në fund bëjmë llogaritë

0
SHPËRNDAJE

Trajnerin Armando Cungu e kënaq jo vetëm pika, por edhe loja e Vllaznisë së tij pas barazimit pa gola në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Për teknikun shkodran, në fushën e Kukësit ishte Vllaznia më e mirë që ai mund të ketë parë ndonjëherë.

Në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Ylli Aga, ai theksoi se ekipi i ka të gjitha mundësitë për të synuar më shumë se thjesht mbijetesën këtë sezon, ndërsa foli edhe rreth mundësisë që të marrë drejtimin e Partizanit sezonin e ardhshëm.

“Eshtë ende herët për të folur për vendin e katërt. Unë e kam thënë që objektivi ynë është t’i marrim ndeshjet me radhë dhe në fund t’i bëjmë llogaritë. Nuk varet çdo gjë nga ne, por edhe nga gabimet e kundërshtarëve. Shortin e kemi shumë të egër në këtë fazë të katërt. Për mua është e rëndësishme që djemtë të vazhdojnë të luajnë me këtë karakter, me këtë shpirt dhe me këtë dëshirë. Tani e kanë mundësinë të jenë më të qetë në fushën e lojës, pavarësisht se kemi edhe probleme. E kam fjalën për mungesat e lojtarëve të rëndësishëm. Të tilla sot kishim shumë, kurse me Partizanin do të kemi akoma më shumë. Megjithatë, t‘i gëzohemi kësaj pike dhe pastaj le të shohim”.

“Së pari, unë nuk jam ndonjë fans i rrjeteve sociale. E dyta, nuk besoj se Bicaj e ka thënë me ironi. Ka thënë thjesht që realisht është vështirë të dalësh kampion dhe nuk mendoj se e ka pasur fjalën as për Kukësin, as për Partizanin dhe as për Skënderbeun, por për forcën që ka kampionati. Duhet të them që jam shumë i lumtur dhe krenar për këta djem. Kjo është Vllaznia më e bukur që mund të kem parë ndonjëherë.

Personalisht nuk kam qëllim t’i bëj dëm askujt, aq më tepër që kam një respekt të veçantë për klubin e Kukësit. Aty kam kaluar momente shumë të bukura në karrierën time sportive dhe do të ishte naivitet dhe turp të tregohesha ironik me këtë qytet. Ndërkohë që, në fund të fundit, jam profesionist. Tani jam pjesë e një klubi tjetër, e klubit të familjes sime, qytetit tim, Vllaznisë sime, dhe normalisht që kam bërë më të mirën. E kam bërë kundër Kukësit dhe do ta bëj kundër kujtdo që do të dalë përpara. Do tentojmë ndeshje pas ndeshjeje të marrim maksimumin dhe nuk është turp që edhe ne të kemi ambicie për t’u ngjitur sa më lart nëse do të na jepet mundësia.

Oreksi vjen duke ngrënë. Po kalojmë një periudhë shumë të mirë dhe duhet të bëjmë maksimumin që të shkojmë sa më lart. Sigurisht që nuk është e lehtë, pasi edhe shortin e kemi shumë të vështirë. Gjithsesi, them se duhet minimalisht të mbajmë këtë vend që kemi aktualisht, pse jo të bëjmë edhe diçka më tepër. Sa i përket Europës, janë disa kombinime të mundshme. Për mua ka rëndësi që ekipi të luajë futboll, të ketë dëshirë dhe ta dërgojë dinjitetin e Vllaznisë sa më lart”.

“E sigurt është që kam një kontratë me Vllazninë deri në fund të sezonit dhe do ta respektoj si në ditën e parë, duke bërë maksimumin për t’i shërbyer Vllaznisë. Sa i përket të ardhmes sime, së pari do kërkoj të qetësohem pak pranë familjes sime dhe do marr vendimet e duhura. Ndoshta mund të vendos edhe të qëndroj pushim krejt. Nuk kam asnjë kontakt zyrtar me asnjë nga drejtuesit e Partizanit”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU